Menaxhim

Skema e subvencioneve në bujqësi është diskriminuese

Nga Gazeta 'Si'-Ekspertët e bujqësisë janë në një mendje lidhur me fondin e skemës kombëtare të bujqësisë kur thonë se “ky fond prej 3.3 milardë lekësh më shumë se sa ndihmë, konsiderohet si diskriminim.”

Marrë parasysh kontributin që jep në PBB-në e vendit, bujqësia, theksojnë ata, ka nevojë për një fond pesë herë më të lartë se ai i vënë në dispozicion.

Eduart Sharka, ish-kreu i Shoqatës së Fermerëve thotë i pezmatuar për Gazetasi.al se fondi është krejt i pamjaftueshëm për t’i dhënë hov bujqësisë shqiptare e cila momentalisht nuk është në ditët e saj më të mira.

“Mjafton të bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, në një nivel makro për të vërtetuar që fondi është i dobët.

Kosova me 2.5 mld euro buxhet ka vënë në dispozicion të fermerëve që në numër janë sa gjysma jonë, 160 mln euro. Maqedonia e Veriut me 3 mld euro buxhet ka dhënë 260 mld euro ndërsa Shqipëria me 5.8mld euro shpenzime buxheti, jep vetëm 30 milionë euro për bujqësinë. Në një situatë të tillë është më mirë të mos e japësh fare se sa të bësh këtë lloj diskriminimi”, thotë ai për Gazetasi.al.

"Fondi është krejt i pamjaftueshëm për t’i dhënë hov bujqësisë shqiptare", citon Eduart Sharka

Edhe për ekspertin tjetër të bujqësisë, Ervin Resuli, fondi nuk është në nivelet ku duhet.

“Është zhgënjyes fakti që fondi është ulur këtë vit, nga 4.9 mld lekë, në 3.3. Kemi pritur nga viti në vit që fondet të shtohen dhe kur bën prapakthehu sigurisht që zhgënjehesh.

Megjithëse bujqësia dhe blegtoria tek ne po jep shpirtin e saj, me një kontribut rreth 20% në PBB, situata është qesharake, sidomos kur e krahason me vendet e rajonit”, shprehet ai.

Veç buxhetit, ata thonë se për të dëshiruar lë edhe hartimi i skemës.

“Jemi e vetmja qeveri në botë që u thotë fermerëve që gjysma juaj mund të përfitojë prandaj turruni kush të aplikojë i pari.

Ndërkohë që janë tre javë për të aplikuar, deri në 11 prill, fermerët duhet të nxitojnë tre ditët e para sepse pastaj ngelin pa përfituar. Kjo e rrëzon efektin e skemës”, thotë ai për Gazetasi.al ndërsa shton se edhe pse vitin e shkuar janë alokuar disa herë fonde, sërish mbetën 5 mijë fermerë pa përfituar.

Radhë fermerësh në Lushnje ditën e djeshme(20 mars) duke pritur për të aplikuar për subvencionet

Një ndër kriteret që i ka shqetësuar ata është kryesisht blegtoria.

Në 9 masat e përfshira në udhëzimin e përbashkët nga ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave, në masën e parë, theksohet se një fermer me 9 lopë nuk përfiton. Por në një situatë të tillë, kur në Shqipëri numri i krerëve ka rënë ndjeshëm, sipas tyre, ne duhet të mbështesim qoftë dhe ata që kanë nga një lopë.

“Ndërsa ne jemi në një kontekst që blegtoria po zhduket dhe duhet të favorizojmë dhe ato që mbajnë një lopë, qeveria bën politika me justifikimin që duhet të nxisim fermat e mesme dhe të mëdha. Gjë, që nuk i shkon fare për shtat kontekstit ku është Shqipëria momentalisht”, thotë më tej Sharka për Gazetasi.al.

Rënia e krerëve të bagëtisë ndër vite

Që masa për blegtorinë duhet të ishte menduar më mirë thekson edhe eksperti Ilir Pilku, i cili shton se përpos rënies së numrit të krerëve, kemi edhe prodhimtari të ulët të qumështit.

“Nuk ka rënë vetëm numri i krerëve, por kemi rendimentin më të ulët në Europë lidhur me prodhimtarinë e qumështit. Ne jemi as sa gjysma e mesatares së Bashkimit Europian dhe për këtë arsye duhet të gjejmë se cila do ishte një skemë e mirë për fermerët, në vend të lëmoshës.

Përmirësimi racor është shumë themelor ose subvencionimi i lopëve racë. Më mirë jepi fermerit 3 mijë euro për lopë racore”, thotë ai.

Shqetësues mbetet edhe ndryshimi i kritereve për skemën e naftës që kësaj here do të përfitohet vetëm në mbjelljet e sezonit të parë.

Sharka thotë se në një studim nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, ka rezultuar se bujqësia shqiptare ka nevojë për 50 mln litra naftë.

“Qeveria financon 1/5 e nevojës që ka vendi aktualisht”, thekson ai.

Ditën e djeshme(20 mars) nisën aplikimet ku nga rreth 13 mijë të tilla, kërkesat më të shumta, 3400 deri në momentin e shkrimit,ishin për të përfituar nga skema e naftës pa akcizë.

Fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës dhe Beratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë