Menaxhim

Tenderat/ U përgatit edhe ‘torta financiare’ për privatin

Nga Gazeta 'SI' - Me ndryshimet e reja ligjore, edhe tenderat do të kushtojnë më shtrenjtë. Çdo institucion që do të kryejë prokurime publike do t’i paguajë ‘Operatorit të Blerjeve të Përqendruara’ me varësi nga kryeministri tarifën e shërbimit, sipas fondit limit.

Institucioni duhet të pagujë 2.5% të vlerës për fondet deri në 200 mln lekë pa TVSH. Për fonde më të mëdha, do të paguhet 5 mln lekë për çdo procedurë.

Po ashtu konsulenca me OBP-në do t’i kushtojë subjekteve publike 7.000 lekë/orë.

Miratimi i tarifave vjen pak kohë pasi u miratua ligji i ri i prokurimeve publike, të cilat tashmë do të jenë tërësisht të përqendruara në një agjenci, OBP e cila do të financohet me këto para.

Ligji i ri i hap rrugë privatëve dhe subjekteve të huaja për t’u bërë pjesë e prokurimeve. Konkretisht, aty theksohet se “institucionet publike ose private mund të ofrojnë atë që quhet veprimtari ndihmëse për prokurimin publik”. Me veprimtari ndihmëse nënkuptohet platforma elektronike ku mund të bëhen publikimet, konsulencë, përgatitje dhe zhvillim procedurash. Po ashtu, specifikohet që pjesë e këtij procesi mund të jenë edhe ente të huaja që e ofrojnë këtë shërbim. Edhe OJF-të në konkurrim.

Më pas, bizneset që fitojnë tenderin do të duhet ta sigurojnë atë deri në 10% të vlerës, para se të bëhet nënshkrimi final tek shoqëritë e sigurimit. Sipas qeverisë, ky është një element garancie për institucionet publike në rastet e shkeljes së kontratës nga bizneset që fitojnë tenderat.

Në kuadrin e sigurisë, ligji i ri skualifikon pa mundësinë e argumentimit ofertat anomalisht të ulëta. E njëjta gjë ndodh edhe me kompanitë që nuk kanë deklaruar pronarët përfitues, por vetëm sipas ligjit shqiptar. Në rast se janë kompani offshore që sipas ligjit të një vendi tjetër nuk i deklarojë pronarët, do të pranohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë