Drejtësia

Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës

Gazeta Si - Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, duke rrëzuar kërkesën e radhës.

Kjo ishte shkalla e fundit që Beleri mund t’i drejtohej një gjykate në Shqipëri, pasi më parë apelimi i tij për t’u betuar si kryebashkiak i është refuzuar nga Gjykata e Posaçme, Gjykata e Apelit në GJKKO dhe Gjykata Kushtetuese.

Beleri ndodhet në qeli që prej 12 majit të vitit të kaluar, kur u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore për blerje votash.

Disa javë më parë, Beleri u dënua nga Shkalla e Parë e GJKKO me 2 vite burgim, vendim të cilin ai e ka apeluar.

Bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, por gjykata pezulloi dënimin me burg dhe e vuri në shërbim prove për 3 vitet e ardhshme.

Me ligjin shqiptar, parashikohet se një vepër penale si ajo e blerjes së votave për të cilën u dënua përfundimisht Beleri, sjell ndërprerejen e mandatit të tij të dhënë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Përveç kësaj, atij nuk do t'i lejohet të kandidojë më në një proces të ardhshëm zgjedhor, edhe nëse ndërkohë do ta ketë mbaruar dënimin.

Arrestimi dhe mos lejimi i betimit të Fredi Belerit, si kryebashkiak i Himarës ka sjellë vendosjen e vetos nga Greqia, e cila nuk ka lejuar BE-në që të nisë negociatat me Shqipërinë për shqyrtimin e kapitujve të parë të anëtaresimit.

Kryeministri Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm grek, Jorgos Jerapetritis, kanë akuzuar qeverinë shqiptare se nuk ka respektuar parimin e prezumimit të pafajsisë për Belerin, duke mos lejuar betimin e tij, ndërsa e kanë konsideruar atë si çështje evropiane dhe jo dypalëshe.

Nga ana tjetër, Beleri është kandiduar zyrtarisht për eurodeputet në garën për zgjedhjet evropiane të 9 qershorit në Greqi nga partia e djathtë në pushtet “Demokracia e Re” e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Emri i Fredi Belerit u shpall ndër të fundit në listën prej 42 kandidatëve të kësaj partie në aktivitetin e hapjes së fushatës elektorale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë