Drejtësia

Dënohet me 2 vite burg biznesmeni në Sarandë, i konfiskohet pallati 7-katësh pa leje

Gazeta Si - Gjykata e Sarandës ka dënuar me 2 vite burg biznesmenin Pando Papuçi, i shpallur fajtor për “ndërtim të paligjshëm” të një pallati 7-katësh.

Krahas dënimit, gjykata ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të një objekti në hyrje të Sarandës.

Në një deklaratë zyrtare për shtyp, Gjykata e Sarandës shprehet se Papuçi ndiqej penalisht në kuadër të procedimit penal nr.774 të vitit 2021 bashkë me tre persona të tjerë të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Dosja në ngarkim të Papuçiut është ndarë nga tre të tjerët dhe është gjykuar më vete me gjykim të shkurtuar, ndërkohë që për të tjerët, ish- zyrtarë, vazhdon ende.

Prokurorja Silvana Belishta në përfundim të gjykimit ka kërkuar deklarimin fajtor të Papuçit dhe dënimin e tij me 5 vite burg për “ndërtim të paligjshëm”.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Pando Papuçi, për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” i kryer për qëllime fitimi, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim. Në aplikim të ritit te gjykimit të shkurtuar, uljen e këtij dënimi me 1/3 dhe në aplikim të nenit 59 të K.Penal, të pezullohet ekzekutimi i dënimit me burg dhe konvertimi i këtij dënimi në shërbim prove me detyrimin që të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij”, - thuhej në vendimin e Prokurorisë.

Përveç kësaj, Belishta ka kërkuar edhe heqjen e sekuestros preventive ndaj pallatit 7-katësh dhe vijimin e procedurave administrative si dhe dënimin e shoqërisë “2P-SJ” me “mbarimin e personit juridik”.

Por ndryshe ka vendosur gjyqtarja Edona Vajushi, e cila e ka dënuar Papuçiun me 3 vite burg dhe në aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi i zbret në 2 vite burg.

Dënimi sipas vendimit, duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Gjykatësja Vajushi ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pallatit 7 katësh dhe dënimin e shoqërisë “2P-SJ” me “mbarimin e personit juridik”.

Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Apelit për të marrë formë të prerë, si për Papuçiun, ashtu edhe për objektin e firmën e ndërtimit.

Pando Papuçi ishte shpallur në kërkim prej 21 shkurtit 2022 në kuadër të operacionit “Heshtja” i akuzuar për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, lidhur me një pallat 7-katësh në hyrje të qytetit të Sarandës, por u vetëdorëzua në 9 shkurt 2024 e më pas gjykata e la atë në masën “detyrim paraqitje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë