Menaxhim

Disa masa ku qeveria duhet të ndërhyjë për të shpëtuar blegtorinë nga kriza

Nga Gazeta 'Si'-Përpara disa kohësh qeveria refuzonte të pranonte që blegtoria në vend kishte nisur 'rënien e lirë' dhe numri i krerëve ka rënë.

Të premten (13 janar) ministrja e bujqësisë, Frida Krica, tha se blegtoria do të jetë sfida e këtij viti pasi rënia tashmë ka prekur edhe vendet e Bashkimit Europian.

Ndërsa ajo shtoi se për 2023-shin do të ketë një program të dedikuar vetëm për blegtorinë të mbështetur nga qeveria zviceriane, ekspertët e fushës propozojnë për Gazetasi.al disa masa të tjera ku duhet ndërhyrë më shpejt. 

Sipas tyre, është imediate të subvencionohen të gjithë ata që kanë aplikuar në skemën kombëtare dhe që janë të rregullt.

Ata shprehen se blegtoria nuk është një punë me sezon, ndryshe nga bizneset e fermave në fushë dhe në serra. Bagëtitë janë fabrika konsumi të ushqimit në çdo sekondë pa pushim, por prodhimi nuk është i njëjtë.

Duke marrë parasysh kostot e larta, të ndikuara edhe nga lufta në Ukrainë, të rrisësh bagëti nuk konsiderohet një zgjidhje e mirë në kushtet kur subvencionet shtetërore mungojnë.

“Mbështetja me subvencione e blegtorisë nëpërmjet skemës kombëtare është shumë e ulët dhe nuk përafrohet me masat mbështetëse që ofron rajoni. Kostot për fermerin po bëhen të papërballueshme, duke i çuar ata drejt shitjes së krerëve dhe drejt mbylljes së aktivitetit”, thotë për Gazetasi.al Eduart Sharka, ish-kreu i Shoqatës së Fermerëve.

Subvencioni, një hap drejt zgjidhjes së problemit, shprehet Eduart Sharka, ish kreu i Shoqatës së Fermerëve

“Kosova që është vendi më afër nesh, me gjysmën e buxhetit tonë dhe me një përvojë shtetformuese shumë të re jep 150 euro për një kre lopë, 6 cent për një litër qumësht dhe 150 euro për një HA foragjer. Ndërsa në Shqipëri, jepen vetëm 10 mijë lekë për një fermer”, shton ai.

Ndërsa Ervin Resuli, ekspert bujqësie i cili ka në zotërim edhe një fermë gjedhi, thotë se blegtoria duhet të përfshihet me çdo kusht në skemat e IPARD-it.

Deri tani, në Shqipëri nga programet IPARD po mbështeten vetëm fermat e mëdha me më shumë se 300 krerë, por blegtoria shqiptare mbështetet në ferma të vogla, me një numër të kufizuar krerësh.

Resuli këshillon se qeveria duhet të sigurojë mbështetje për 5 vite pa kushte dhe pa limit për njësitë e prodhimit blegtorale.

Ai gjithashtu vendos një fokus të madh edhe tek nxitja e baxhove të vogla. 

“Struktura e blegtorisë me ferma të vogla nuk e mbështet industrinë e përpunimit të qumështit. Produktet me 100% të qumështit nga baxhot artizanale do të kthejnë interesin tek blegtorët për qumështin e tyre. Lëndët e para që hyjnë nga jashtë për industrinë e përpunimit të qumështit, që nga vaji i palmës deri tek pluhuri i hirrës, heqin interesin e fabrikave të qumështit nga qumështi i blegtorëve tanë.

Ne nuk mund të bëjmë dot konkurrencë në botë me zëvendësues të qumështit pluhur por me shije dhe aromë shqiptare po. Dhe për ketë duhet mbështetje”, thotë ai.

Rënia e krerëve të bagëtisë ndër vite

Gjithashtu ai shton se nëse për fermerët nuk sigurohet një çmim më i lartë për qumështin, sektori do të vazhdojë trendin rënës.

Sipas tij qumështi i lopës në fermë nën 100 lekë është mohim për ekzistencën e blegtorisë në Shqipëri.

Referuar të dhënave zyrtare, në vitin 2021, në vend numëroheshin rreth 337 mijë krerë gjedh nga më shumë se 475 mijë krerë në vitin 2017.

Më të rrezikuarat për faliment duket se janë fermat e vogla dhe të mesme nga 3 deri në 50 krerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë