Menaxhim

Përfitimi i subvencioneve/ 13 mijë fermerë aplikuan në ditën e parë. Kërkesat më të mëdha, për skemën e naftës

Nga Gazeta 'Si' - Sot (20 mars), në ditën e parë të aplikimeve për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë, janë kryer rreth 13 000 të tilla nga fermerët.

Kërkesat më të shumta, 3400 deri tani, janë për të përfituar nga skema e naftës pa akcizë, sipas Ministrisë së Bujqësisë. Mbështetja me naftë për fermerët këtë vit, ndryshe nga viti i shkuar, do të përfitohet vetëm për mbjelljet e sezonit të parë.

Grupi i kulturave bujqësore përfituese do të jetë për bimët e arave,drurëve frutorë dhe perimeve.

Udhëzimi i përbashkët nga ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave përcakton se mbështetja për fermerët do të zbatohet nëpërmjet 9 masave.

Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, i cili merr 60 % të totalit të skemës kombëtare të subvencioneve në bujqësi, ndërsa fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës Beratit etj.

Në total fondi për skemën kombëtare të bujqësisë është 3.3 miliardë lekë ndërsa vitin e shkuar mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4.9 miliardë lekëve.

Për herë të parë do të aplikohet skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10.000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1.000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.

Aplikimet për përfitimin e subvencioneve direkte për bujqësinë do të vijojnë deri më 11 prill 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë