Drejtësia

Ryshfet 12 mijë euro për një leje shfrytëzimi në plazh, SPAK zbardh hetimet për dy ish-zyrtarë të Bashkisë Sarandë

Gazeta Si- SPAK ka mbyllur hetimet për tre persona, mes të cilëve dy ish-zyrtarë të Bashkisë Sarandë dhe IKMT për akuzën e korrupsionit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, shtetasi Julian Preni, përgjegjës i IKMT-së së Sarandës, ka kërkuar një shumë prej 7.500 euro që të mos prishej një objekt në plazhin e Ksamilit.

Ndërsa në një tjetër rast, Ariel Balani, punonjës në Zyrën e Urbanistikës Bashkinë Sarandë, ka premtuar se në këmbim të 12 mijë eurove do të siguronte për një subjekt lejen për shfrytëzimin nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Hetimet janë mbyllur dhe për shtetasin Foti Doda, i cili ka dhënë shumat monetare.

Sipas SPAK, Foti Doda dhe Sofia Doda ishin përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil, ku vite më parë kishin ndërtuar një objekt.

Arjel Balani, duke qenë punonjës në zyrën e Urbanistikës në bashkinë Sarandë, i ka kërkuar Foti Dodës shumën prej 12 mijë eurosh për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit në mënyrë që ta pajisnin me leje për shfrytëzimin e plazhit.

Në muajin korrik të vitit 2021, Balani iu ka marrë Foti dhe Sofia Dodës shumën prej 6 mijë eurosh, të cilët i bënë të qartë se pjesën tjetër do ia jepnin kur të nxirrej leja.

Duke qenë se marrëveshja nuk u bë e mundur, i pandehuri Arjel Balani ua ka kthyer shumën monetare prej 6 mijë eurosh.

Të njëjtët persona, thekson SPAK, Foti dhe Sofia Doda kanë pasur probleme edhe në lidhje me procedurën e ndjekur për prishjen e një objekti të ndërtuar në Ksamil për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit. Hetimet nxorrën se gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019, subjekti “Foti Doda” është vendosur prishja e këtij objekti.

Në muajin mars të vitit 2020, Julian Preni, asokohe kreu i IKMT-së në Sarandë, i ka kërkuar Foti Dodës 7.500 euro për të mos i prishur objektin e ndërtuar në plazhin e Ksamilit.

Pas negociatave, Foti Doda i ka dhënë Prenit shumën prej 3 mijë eurosh. Pas korrupsionit, objekti ndaj të cilit ishte vendosur shembja në vitin 2019, nuk u shemb. Hetimet kanë zbuluar se shembja e objektit është bërë e mundur vetëm në datën 7 qershor të vitit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë