Dosje

Spiunazh për Iranin, dyshime nga SPAK ndaj 11 ish-anëtarëve të MEK për ngritjen e një rrjeti agjenturor

Gazeta Si - Të paktën 11 shtetas iranianë, ish-anëtarë të MEK-ut në Shqipëri, janë vënë nën hetim nga SPAK të dyshuar për spiunazh në shërbim të regjimit.

Sipas burimeve të Gazetasi.al, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, janë  kryer 11 kontrolle policore në banesat e tyre, por pa proceduar me ndonjë masë sigurie. 

Të dyshuarit, sipas asaj që ka mësuar Gazetasi.al, ishin rekrutuar nga Ministria e Brendshme e Iranit, ku po përgatisnin një rrjet agjenturor dhe kishin krijuar një organizatë në Shqipëri.

Bëhet fjalë për ish-anëtarë të organizatës së muxhahedinëve iranianë, të cilët janë shkëputur nga selia që ndodhet e stacionuar në Manzë të Durrësit.

Dyshohet se disa prej tyre, kryejnë aktivitet të ndaluar brenda territorit shqiptar për llogari të Organizatës Terroriste të Gardës Revolucionare të Iranit dhe shërbimeve sekrete të Teheranit.

GJKKO ka pranuar kërkesën për të ushtruar kontrolle në zyrat e një shoqate të drejtuar nga një ish-anëtar i MEK-ut, i quajtur Hassan Heyrani.

Kontrolle janë urdhëruar të kryhen edhe në dhjetëra apartamente të shpërndara në Tiranë që janë përdorim të këtyre shtetasve iranianë.

Gazetasi.al mësoi se personat e dyshuar po mbahen nën mbikëqyrje, por deri tani nuk ka një vendim nëse ata do të shpallen “non grata” nga autoritetet.

Hetimet

Hetimi ndaj këtij grupimi ka nisur 3 vjet më parë, kur në Tiranë u godit një celulë terroriste, e cila planifikonte te sulmonte muxhahedinët në ditën e festës së Sulltan Novruzit.

Thuajse pas një viti, në korrik 2022, Shqipëria dëboi si person “non grata” shtetasin italian, por me origjinë iraniane, Dabiel Kassrae.

Ky person shihej duke vëzhguar shpesh kampin e muxhahedinëve në Manzë dhe sipas raportit sekret të Ministrisë së Brendshme, ai është përpjekur që të rekrutojë ish-anëtarë, ose anëtarë aktualë të MEK, për qëllime që mbeten për t’u zbardhur.

Hasan Heyrani, një prej personat që dyshohet si drejtues i ish-anëtarëve të MEK në Shqipëri

Gjyqi për iranianin

Nuk është hera e parë që në Shqipëri dyshohet se operojnë grupe spiunazhi për të përgjuar muxhahedinët kundër regjimit.

Në muajin prill 2022, një 47-vjeçar iranian i akuzuar për kryerje spiunazhi në Shqipëri, u dërgua në gjyq nga SPAK.

Bëhet fjalë për shtetasin Bijan Pooladrag, i cili u arrestua në Tiranë në 10 tetor 2020 në kuadër të operacionit të koduar “Hija”.

Ai dyshohej se kryente përgjime të paligjshme të të dhënave kompjuterike, si dhe ndërhynte në sisteme kompjuterike.

Personat e shpallur "non grata"

Ndërkohë, në të shkuarën ka pasur shumë dyshime nëse muxhahedinët në Shqipëri kanë ngritur baza terroriste dhe jo humanitare.

Në vitet e fundit janë shpallur si persona "non grata" rreth 80 shtetas të huaj, kryesisht iranianë. Arsyeja kryesore është ajo e veprimtarisë së dyshimtë dhe cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit shqiptar.

Rastet më të bujshme janë dy. Në dhjetor të 2018 u dëbua ambasadori iranian në Shqipëri, së bashku me një diplomat tjetër të kësaj selie.

Ndërsa në janar 20189, dy diplomatë të tjerë të Ambasadës Iraniane, u dëbuan si persona që akuzoheshin si organizatorë dhe nxitës së sulmeve terroriste në Shqipëri.

Celula terroriste dhe forcat QUDS

Në tetor 2019, një celulë terroriste iraniane u zbulua nga agjentët e policisë shqiptare, ku kishin planifikuar një sulm ndaj muxhahedinëve në ditën e Sulltan Novruzit. Synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK).

Celula terroriste udhëhiqej nga forcat QUDS dhe planifikonte goditjen e drejtpërdrejtë të kampit të muxhahedinëve iranianë në Manzë.

Personi që mendohej se drejton agjentët operativë në Shqipëri, njihej si Peyman dhe së bashku me narko-trafikantin turk, Abdulselam Turgut dhe operativin iranian, Alireza Naghashzadeh, ishin urdhrat e këtyre forcave.

Nga ana tjetër, SHBA ka mbështetur gjithnjë organizatën e MEK-ut dhe anëtarët e saj në Shqipëri, të cilët luftojnë prej dekadash kundër regjimit iranian.

Në qershor, ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence vizitoi kampin “ASHRAF 3” në Manzë, ku theksoi mbështetjen e SHBA-ve për grupet disidente që kundërshtojnë Iranin. E pranishme ishte edhe presidentja e NCRI-së, Maryam Rajavi me anëtarë të rezistencës iraniane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë