Ngjarje

Një italo-iranian drejt dëbimit, vëzhgonte MEK-un në Manzë

Shqipëria duket se mbetet ende në shënjestër të veprimtarisë së shërbimeve sekrete iraniane, që në vitet e fundit duket se kanë përshkallëzuar aktivitetin e tyre në vendin tonë, pas ngritjes së kampit të muxhahedinëve në Manzë.

Një shtetas italian, por me origjinë iraniane do të dëbohet nga Shqipëria pas dyshimeve për aktivitetin dhe veprimtarinë e tij në vendin tonë. Bëhet fjalë për shtetasin me emrin Daniel Kasrae, me pasaportë italiane dhe kombësi iraniane.

Top Channel raporton se ky person është parë duke vëzhguar shpesh kampin e muxhahedinëve në Manzë. Duke cituar raportin sekret të Ministrisë së Brendshme, Top Channel thotë se ky person është përpjekur që të rekrutojë ish-anëtarë, ose anëtarë aktualë të MEK, për qëllime që mbeten për t’u zbardhur.

Top Channel raporton se Policia Kufitare është informuar për këtë rast dhe ky shtetas, që besohet se aktualisht mbahet në një kamp që ndodhet në zonën e Vorës, do t’u dorëzohet autoriteteve italiane për veprime të mëtejshme.

Në dy vitet e fundit në Shqipëri janë shpallur si persona non grata rreth 80 shtetas të huaj, kryesisht iranianë. Arsyeja kryesore është ajo e veprimtarisë së dyshimtë dhe cenim të rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit shqiptar.

Rastet më të bujshme janë dy. Në dhjetor të 2018 u dëbua ambasadori iranian në Shqipëri së bashku me një diplomat tjetër të kësaj selie dhe në janar të këtij viti dy diplomatë të tjerë të Ambasadës Iraniane, si persona që akuzoheshin si organizatorë dhe nxitës së sulmeve terroriste në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë