Ngjarje

Financuesin e terroristëve e “nxorën” nga burgu në Tiranë

Celula terroriste iraniane që vepronte në Shqipëri punonte për llogari të Abdulselam Turgut, një trafikant i njohur ndërkombëtar i drogës, i cili u la i lirë nga drejtësia pas një serie aktesh procedurale të gjyqësorit. Turgut u arrestua në Shqipëri në vitin 2011 për llogari të autoriteteve gjermane, por arriti të arratisej nga vendi ynë pasi gjykata e Apelit e la në masë sigurie arrest shtëpiak. Informacionet e institucioneve shqiptare të sigurisë tregojnë se nëpërmjet parave të trafikut Turgut financonte celulën terroriste që punonte për llogari të qeverisë së Iranit, kundër opozitarëve të MEK, një grup prej disa mijëra iranianësh që luftuan qeverinë islamike të këtij vendi gjatë viteve ’80 e ’90, por që tani janë në opozitë me regjimin iranian.

Emri i Turgut lidhet direkt me celulën terroriste që drejtohej nga forcat QUDS, të cilat janë pjesë e Gardës Islamike Revolucionare iraniane me kompetencë drejtimin e operacioneve jashtë vendit:
Personi që mendohet se drejton agjentët operativë në Shqipëri njihet si Peyman. Njëri prej operativëve është Alireza Naghashzadeh, një ish-anëtar i MEK me pasaportë austriake që është dërguar disa herë në vendin tonë për mbledhje informacioni.
Abdolkhalegh Malek Zadeh është operativi tjetër. Ky është shtetas iranian që jeton në Turqi, nga ku drejton veprimtarinë operacionale të celulave terroriste. Malek Zadeh është i njohur për lidhjet me botën e krimit në Turqi me pseudonimin Ferhat. Njëri prej bashkëpunëtorëve të tij, të paktën në dy vitet e fundit është shtetasi turk, Abdulselam Turgut.

Turgut është fija që bashkon Iranin me organizatat kriminale turke.

Abdulselam Turgut. Gazeta Si, 23 tetor 2019

“Operativët kriminelë me bazë në Ballkan, që janë vartës të Turgutit, ose të një trafikanti droge turk të lidhur me të, nga viti 2018, janë dërguar në Shqipëri për të avancuar planifikimin e sulmeve kundër MEK-ut, siç ishte diktuar nga Malek Zadeh dhe Forcat QUDS. Autoritetet shqiptare i kanë identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale u ka lejuar autoriteteve shqiptare që të parandalojnë planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit iranian”, thuhet në deklaratën e policisë.

Vetë Turgut ka lidhje të vjetra me krimin e organizuar shqiptar dhe emri i tij nuk është i panjohur për drejtësinë e vendit tonë. Më 18 shkurt të 2011 ai u arrestua në Shqipëri sipas një urdhër-arresti të shpallur nga Europol që në shtator të 2009 për llogari të drejtësisë gjermane, ku akuzohej për trafikimin e tonelatave heroine. Para Gjykatës së Shkallës së Parë, Turgut u prezantua si biznesmen turk, por pavarësisht kësaj, gjykata i dha masën e sigurisë arrest me burg për 40 ditë në pritje të kërkesës zyrtare nga Gjermania për ekstradimin e tij.
Turgut e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar zbutjen e masës së sigurisë. Ankimimi u shqyrtua nga një treshe gjyqtarësh që kryesohej nga Gjin Gjoni, në atë kohë pjesë e trupës së gjyqtarëve të Apelit të Tiranës. Apeli ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie me afat 40 ditë, duke deklaruar se masa e sigurisë arrest me burg ishte tejet ekstreme, në një kohë që nuk kishte ende një kërkesë zyrtare për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë në Gjermania te Ministria e Drejtësisë në Shqipëri.
Jo vetëm kaq, por Apeli thotë se urdhri gjerman përcakton “urdhër europian arresti”, çka do të thotë se fushën e zbatimit e ka brenda Bashkimit Europian dhe jo tek vendet jashtë këtij territori. Një tjetër argument për të refuzuar kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg Apeli përdor të dhënat e referuara nga një spital në Turqi, sipas të cilave ai vuan nga probleme me zemrën dhe se arresti me burg mund t’i kushtonte jetën.

Adresa e dhënë nga turku, ku si rregull ai do të duhej të qëndronte për 40 ditë në arrest shtëpie ishte “Pallati te Kthesa e Kamzës, Kati 8”, një adresë e përgjithshme, duke pasur parasysh se në atë zonë janë disa pallate mbi 8 kate.
Abdulselam Turgutit nuk i nevojitej i gjithë afati 40-ditor për t’u arratisur, madje mendohet se ai ka humbur gjurmët brenda pak ditëve duke përdorur edhe një pasaportë me identitet tjetër. Kjo është e provuar nga Interpol Tirana që e vendosi menjëherë në listën e personave shumë të kërkuar. Vendimi i Interpolit lidhej me faktin se operativë të kësaj agjencie e kishin të pamundur të verifikonin nëse Turguti ishte në banesë apo jo, për shkak të mungesës së një adrese të saktë.

Në mes të marsit 2011 arratisja e Turgut shpërtheu në media. Këtu nisi ping-pongu institucional se kush ishte përgjegjës. Gjykata fajësonte policinë, e cila duhej ta ruante 24 orë me efektivë banesën e trafikantit. Vetë Policia e Tiranës dhe ajo e Kamzës deklaronin se ishin ende në kërkim të banesës së deklaruar nga shtetasi turk në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Banesa u gjet më parë nga kamerat e televizioneve, në një pallat ku në atë kohë jetonin disa familje turke, por asnjë gjurmë e Abdulselam Turgutit.
Mënyra sesi ia “mundësuan” arratisjen Abdulselam Turgutit autoritetet shqiptare shkaktoi pakënaqësi nga pala gjermane, që kishte paralajmëruar pas arrestimit se ai mund të lirohej duke shfrytëzuar lidhjet e forta me biznesmenë dhe bashkëpunëtorët me ndikim të krimit të organizuar që kishte në Shqipëri.

Mes lidhjeve të kryetrafikantit turk, për të cilin sot u dhanë prova se financonte terrorizmin në Shqipëri, përmendet edhe grupi i Shijakut, konkretisht Hekuran Hoxha, i arrestuar në janar të këtij viti në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”. Hoxha del në përgjimet e këtij operacioni si pjesë e grupit të Shijakut, që në bashkëpunim me dy shtetas turq kishin ngritur një laborator përpunimi heroine në Has.
Burime të Gazetës “Si” pohojnë se grupi hetimor i policisë dhe prokurorisë që po merret me këtë dosje ka dyshime të forta se dy shtetasit turq kishin ardhur disa herë në Shqipëri me urdhër të Abdulselam Turgutit, ose anëtarëve të tjerë të organizatës së tij, për të sjellë “ekspertizën” turke në përpunimin e heroinës që vinte në vendin tonë nga Turqia, e që më pas trafikohej në vendet e Bashkimit Europian përmes Portit të Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë