Politike

Samiti i muxhahedinëve, Shqipëria në krah të tyre, flasin Majko dhe për herë të parë edhe Basha

Samiti treditor për Iranin e Lirë që filloi të shtunën online me pjesëmarrjen e iranianëve nga 50,000 lokacione në 105 shtete, duke përfshirë edhe Shqipërinë, kishte si synim sjelljen para drejtësisë të liderit suprem të mullahëve, Ali Khamenei, presidentin e tij Ebrahim Raisi, Kryegjyqtarin Gholam-Hossein Mohseni Eje’i, dhe zyrtarët e tjerë, sipas muxhahedinëve, përgjegjës për masakrën e 1988-ës, me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Samiti i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB  të bëjë të mundur ndjekjen penale ndërkombëtare të Raisi-t dhe t’i kërkojë atij llogari për krime kundër njerëzimit, si dhe të mos e lejojë praninë e tij në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.

Në të njëjtën kohë me Samitin, mijëra iranianë u grumbulluan në Portën Brandenburg të Berlinit, si dhe në 16 qytete e kryeqytete të tjera, si Paris, Uashington, Londër, Amsterdam, Stokholm, Oslo, Vienë, Romë, dhe Gjenevë. Këto tubime u lidhën drejtpërdrejt me samitin

Ish-sekretari amerikan i Shtetit duke folur në Samitin e Muxhahedinëve

Mike Pompeo, ish-Sekretari amerikan i Shtetit tha se, "duhet ta mbështesim popullin iranian me çdo mënyrë të mundshme në luftën e tij për një Iran më të lirë e më demokratik”.

Dhjetëra senatorë të lartë e anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve nga të dyja partitë, demokratike dhe republikane, duke përfshirë Senatorin Robert Menendez, kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, morën pjesë në këtë samit dhe theksuan mbështetjen e tyre për opozitën iraniane

I njëjti mesazh mbështetje u përcoll edhe nga Shqipëria.

LEXO EDHE:
- Profile e faqe të rreme propagande, Facebook mbyll mbi 300 llogari të muxhahedinëve në Shqipëri
- Në Manzë, aty ku shqiptarët bashkëjetojnë të ndarë me muxhahedinët…
- Celulë terroriste iraniane, do sulmonte muxhahedinët për Sulltan Novruz
- Administrata Trump, mirënjohje Shqipërisë për strehimin e muxhahedinëve
- “Ashraf 3”, rrugëtimi i muxhahedinëve nga Iraku në Manzë
- Majko: Kush prek muxhahedinët iranianë, prek Shqipërinë!
- Muxhahedinët në Shqipëri, bazë terroriste apo humanitare?

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko tha se, populli iranian e bojkotoi farsën e zgjedhjeve presidenciale dhe se “Raisi akuzohet për krime kundër njerëzimit nga organizata ndërkombëtare të të drejtave njerëzore, dhe tani zgjidhet president”.

“Jam i lumtur që sot u qëndroj përkrah njerëzve që duan të jenë pjesë e të ardhmes së Iranit”, shtoi ai.

Lulzim Basha, i cili mori pjesë për herë të parë në këtë Samit, (në takimet e këtij formati PD është  përfaqësuar kryesisht me Edmond Spahon) tha se Partia Demokratike e Shqipërisë e ka shprehur qartë pozicionin e saj. “Ne kemi një pozicion të fortë kundër tentativave të regjimit iranian për veprime të paligjshme e terroriste në tokën tonë, si dhe kundër përpjekjes së tij të strukturuar për eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri dhe në rajonin tonë.

Ne mbështesim popullin iranian dhe qëllimin e tij për një Iran demokratik e jo-bërthamor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë