Drejtësia

Dënohet me 10 vjet burg spiuni iranian Bijan Pooladrag i akuzuar për terrorizëm në Shqipëri

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka dënuar me 15 vjet burg shtetasin iranian, Bijan Poladrag për akuzën e spiunazhit në Shqipëri dhe bashkëpunim me individë që financojnë terrorizmin.

Pooladrag përfitoi ulje të dënimit në 10 vjet, për shkak të gjykimit të shkurtuar, që iu pranua më herët nga Gjykata, ndërsa gjatë 2 viteve hetime ai i ka mohuar akuzat.

Por SPAK thotë se hetimet treguan që ai është pjesë e një celule spiunazhi që vepron në Shqipëri prej disa vitesh dhe janë angazhuar për akte terroriste kundër muxhahedinëve, të njohur si opozita iraniane kundërregjimit, të cilët strehohen në kampin MEK në Manzë të Durrësit.

Ai u arrestua në verën e vitit 2020 pas denoncimit të një qytetareje, e cila kishte kuptuar se shtetasi iranian i kishte marrë kontrollin e rrjetit social Instagram dhe nëpërmjet profilit të saj dërgonte informacione personave të tjerë.

Poladrag akuzohet për një sërë veprash penale, si organizatë terroriste, sulme ndaj sistemit kompjuterik, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike të paautorizuara etj.

Poladrag vepronte si i infiltruar mes muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe ndërkohë dyshohet se po planifikonte sulm terrorist.

Referuar dosjes hetimore, ai është larguar nga kampi dhe ka marrë me qira një shtëpi. Hetuesit kanë dyshime se ai, duke përdorur celularin e një vajze, u ka dërguar qeveritarëve iranianë të dhëna për muxhahedinët që janë në vendin tonë, fotografi dhe informacione të tjera. 

Në gusht, me kërkesë të SPAK janë ushtruar kontrolle të ndryshme në banesa dhe shoqata të disa shtetasve nga Irani, me dyshimet se ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të spiunazhit, kundër opozitës iraniane në mërgim që strehohet në Manëz.

Të dyshuarit iu zbuluan biseda dhe mesazhe në drejtim të personave që jetojnë në Iran dhe që dyshohet se janë pjesë e Gardës Revolucionare në këtë shtet.

Fillimisht, i dyshuari u hetua nga Antiterrori dhe Prokuroria e Tiranës dhe mori masën e arrestit me burg. Por më pas, SPAK ngriti dhe akuzën e organizatës terroriste, duke i çuar në pesë akuzat ndaj Poladrag.

Nëpërmjet veprimeve të ndryshme, iraniani kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celularë të shtetasve të tjerë.

Nga viti 2015 e deri më sot, nga Shqipëria janë dëbuar 80 shtetas të kombësive të ndryshme, ndërsa iranianët kryesojnë këtë listë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë