Politike

Rruga e (pa) pritur e Vangjel Tavos drejt Himarës 

Nga Gazeta Si - Ndryshe nga dy muaj më parë, kur mohoi nxitimthi lajmin e medias greke "Kathimerini", se ai po negocionte me kryeministrin Edi Rama me qëllim drejtimin e përkohshëm të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, mbrëmjen e të mërkurës, heshti.

Një vendim i qeverisë (i shpërndarë më herët në rrjetet sociale) njoftonte se Rama e kish emëruar atë prefekt të qarkut Vlorë. Një manovër kjo e njohur e kryeministrit për t’i katapultuar më pas disa prej tyre si kandidatë për kryetarë bashkish.

Në rastin e Vangjel Tavos merr më shumë kuptim se asnjëherë artikulli i Kathimerini në fillim të janarit ku shkruante me detaje se si Vangjel Tavo, anëtar i minoritetit grek, (aktualisht i shkëputur nga politika), mori një telefonatë nga Edi Rama për tu takuar.  

Tavo e pranoi ftesën, megjithëse marrëdhëniet mes tyre nuk ishin të dikurshmet qysh se ai ishte larguar nga Partia Socialiste për tek LSI si deputet në shumë vite.

Nxitimit për takim, Rama i kishte paraprirë në mes të dhjetorit me një tjetër telefonatë me Tavon.

Me pak fjalë, sipas Kathimerini, Rama i kishte kërkuar Tavos në takim të marrë përsipër detyrën e kryebashkiakut të përkohshëm gjashtëmujor të Himarës, aq sa do të zgjaste edhe gjyqi ‘Beleri’.

Vangjel Tavo e mohoi artikullin, me argumentin se nuk kish dëshirë të angazhohej në politikë.  Ndryshe nga Tavo, kryeministri Rama nuk bëri të njëjtën gjë. Kryeministri i la të hapura negociatat, kur tha se nuk mund të komentonte lajme që vinin nga Greqia dhe jo nga zyra e tij.

Emërimi jo (aq) i papritur i Vangjel Tavos në krye të prefektit të Vlorës të çon ujë tek një tjetër detyrë, ajo e Himarës, për të cilën Rama gjen zgjidhjen me Greqinë nëse Apeli i GJKKO-së lë në fuqi vendimin për dy vjet burg ndaj Fredi Belerit i akuzuar për blerje votash.  

As Vangjel Tavo, që ‘nuk kish dëshirë të angazhohej më në politikë’, nuk mund të ‘riskojë’ yshtjen e tij të shprehur “për t’i shërbyer komunitetit si mjek”, apo marrëdhëniet njerëzore të krijuara me politikanë, që nuk i përkasin PS-së, për një angazhim në nivel prefekti. Kjo do të ishte naive nga ana e tij. Dhe jo vetëm.

Ish- ministër i Shëndetësisë, ish- deputet dhe i angazhuar më shumë se 20 vjet në politikë, fillimisht si i PS-së pastaj i LSI, ai, i cili figurën kryesore të politikës shqiptare, ka konsideruar ‘Ilir Metën’  dhe i lidhur ngushtë me zonat e Gjirokastrës, Tepelenës, Këlcyrës, Memaliajt, Libohovës apo Dropullit, nuk mund t’i jepte kuptim angazhimit të tij të beftë për më tepër në një zonë të cilën Tavo nuk e ka ‘shkelur’ asnjëherë si qarku i Vlorës apo më tej Himara.

Emri i Vangjel Tavos për të cilën ‘Kathimerini’ shkruante se ai e kishte njoftuar paraprakisht Greqinë për bisedën me Ramën, mund të jetë zgjidhja e ngërçit mes dy vendeve, sa kohë  fqinji e ka kanalizuar çështjen ‘Beleri’ më shumë si debat ndaj një minoritari sesa si çështje juridike. Kryeministri ndërkohë ka ndërmarrë dy lëvizje.

Së pari; Rama ka thyer tezën duke i ofruar Greqisë një tjetër emër minoritari.

Së dyti; ai ka zbutur paralelisht tonet me Greqinë.

Në një konference për mediat pak kohë më parë, Rama nuk komentoi çështjen ‘Beleri’ me argumentin se pret shkallën e dytë të gjyqësorit. Por ra në sy një reagim i tij për vizitën e kryeministrit grek Mitsotakis në Ukrahinë ku në vendin ku takoi presidentin Zelensky raketat ruse u lëshuan vetëm 200 metra larg.

Kathimerini shkruante se sulmi me ‘mesazh’ kishte shënjestër presidentin e Ukrainës, Zelensky.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i shtoi edhe më shumë tonet nga interpretimi grek. 24 orë pas ngjarjes, ai e dënoi ashpër sulmin, një reagim, që për nga përmbajtja, u kuptua krejtësisht llastues, në thelb aspak i nevojshëm, ndaj kryeministrit të Greqisë. 

Lëvizja e Ramës me Tavon, vjen edhe në kohën kur kryeministri grek Mitsotakis dhe Partia e tij Nea Demokracia, po mendojnë që Fredi Belerin, edhe pse në burg në Shqipëri, ta kandidojnë për zgjedhjet e Parlamentit Europian që mbahen këtë qershor.  / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë