Drejtësia

Plagosi me thikë gruan në Tiranë, autori pendohet në gjykatë: Nuk doja ta qëlloja, por u nxeha

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest me burg” për 52-vjeçarin Jakup Shahu, i cili plagosi me thikë në qafë dhe trup bashkëshorten e tij.

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në Tiranë, ku e plagosur mbeti Edlira Shahu. 52-vjeçari tha para togave të zeza se ishte penduar për krimin në fjalë.

“Nuk doja ta qëlloja, por u nxeha. E qëllova në debat e sipër”, mësohet të jetë shprehur ai në gjykatë.

Mësohet se gruaja, sipas informacioneve që dha edhe prokurori i çështjes, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, për shkak të 3 goditjeve që ka marrë me thikë.

Jakup Shahu akuzohet për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e mbetur në tentativë” në dëm të bashkëshortes Edlira Shahu. Sipas burimeve, shkak dyshohet të kenë qenë motivet e xhelozisë së tij ndaj bashkëshortes.

Organi i akuzës ka relatuar para gjykatës së Edlira Shahu është në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e 3 goditjeve me thikë që ka marrë, njërën plagë e ka në qafë. Në vitin 2011, 52-vjeçari Shahu u dënua për vrasjen e burrit të së dashurës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë