Politike

“Ishte një shqiptar…”/ Rama në Milano: Shqiptarët e Italisë përbashkuesit e 2 brigjeve të Adriatikut! I fton të kthehen e të investojnë në atdhe: Fati europian s’ka shans të ndryshojë

Nga Gazeta ‘Si’- Ndryshe nga takimi i parë në Athinë, kryeministri Edi Rama nuk u zgjat shumë në fjalën e tij me emigrantët shqiptarë në Milano sot.

Për gati një orë Rama mbajti fjalim në pallatin e sportit në Busto Arsizio, i cili ishte mbushur me shqiptarë të cilët e pritën me jo pak ovacione dhe flamuj kuq e zi. 

Të shumtë ishin edhe qytetarët e tjerë që ndoqën aktivitetin jashtë nëpërmjet aktiviteteve.

Pas pamjeve që shpërfaqnin kalvarin e vuajtjeve të shqiptarëve në eksodin drejt Italisë në vitet 1990 që përlotën shumë nga të pranishmit, Rama e nisi fjalimin e tij duke shprehur mirënjohjen e thellë për mikpritjen që i kishin bërë shqiptarët e Italisë, të cilët sipas tij me punë dhe guximin ia dolën të ktheheshin në europianët e rinj të Italisë dhe përbashkuesit më kryesorë të dy brigjeve të Adriatikut.

Ai lartësoi figurën e shqiptarëve që punuan për të përmbysur imazhin dhe për të hedhur poshtë damkën e “e stato un albanese”

“Me siguri të gjithë ata që e kanë shkelur Italinë në vitet ’90, e kujtojnë këtë zile alarmi, ku shqiptari duhet jo thjesht ta fshihte, por mundësisht, ta harronte fare të qenit shqiptar për t’u pranuar si njeri i zakonshëm dhe ku njeriu i zakonshëm . Përplaseshin dy makina; gazetat shkruanin ‘E stato un albanese’. Ndodhte një grabitje, telegazetat lokale informonin: ‘E’ stato un albanese’. Edhe kur ikte në drejtim të paditur, vrasësi i panjohur ishte un albanese”, tha Rama ndërsa shtoi se shqiptarët e përmbysën këtë situatë duke shkëqyer me tërësej në fusha të ndryshme. 

Gjatë fjalimit të tij në Romë, Rama bëri një paralelizëm mes Greqisë dhe Italisë në pritjen e shqiptarëve dhe racizmit me të cilën u detyruan të përballen.

"Italianët u sollën si askush tjetër, u hapën rrugën shqiptarëve. Nuk u ndryshuan as emrat si ndodhi në Greqi", tha Rama duke e quajtur një turp për historinë e Evropës demokratike.

“Italia e kohës fatmirësisht nuk ishte Greqia e asaj kohe. Jo vetëm populli italian njësoj si populli grek u hapi derën bujarisht shqiptarëve duke i ndihmuar të ngriheshin mbi këmbët e tyre, por edhe qeveritë italiane megjithëse tejet të  trembura nga fenomeni i saposhfaqur i migrimit masiv u sollën me Shqipërinë.

Ju shqiptarët e Italisë nuk i ndërruat emrat forcërisht siç i ndodhi në Greqi. Për një arsye të vërtetë e të lemeritshme që të gjithë e dimë e do të mbetet dhe njollë turpi në historinë demokratike. Por nuk ishin të pakta rastet kur e morët përsipër vullnetarisht këtë ndryshim të identitetit", tha kreu i qeverisë.

Gjatë fjalës së tij pati edhe momente tensioni në sallë.

Disa shtetas shqiptarë zbuluan në takim banderolën e tyre, ku shkruhej “Dua të votoj në 2025”. Kjo krijoi momente përplasjesh fizike mes emigrantëve.

Fatmirësisht sherri nuk vijoi, duke mos lejuar përshkallëzimin e situatës.

Ndërkohë Rama u ndal edhe tek marrëveshja e lidhur me qeverinë italiane për njohjen e pensioneve ku tha se përfitojnë 421 mijë emigrantë shqiptarë, Rama vlerësoi edhe marrëdhënien me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni. 

Ai nuk i kurseu atributet për të dhe tha se kjo marrëveshje u arrit edhe falë angazhimit të saj personal.

Rama mandej pranoi se Shqipëria ka ende punë për të bërë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por se koha e atyre që duan të çojnë Shqipërinë në drejtim të paditur ka vdekur sipas tij. 

Drejt fundit të fjalimit, Rama sulmoi dhe politikën në Tiranë, grupin e Rithemelimit dhe ata që kundërshtojnë turin me diasporën të nisur prej 12 majit në Athinë. 

“Kjo e 1 milion shqiptarëve të ikur në 10 vitet e fundit është gënjeshtër e madhe e ligë dhe e turpshme njësosh si ajo e autobësve që doli po nga ajo gojë e pistë duke ofenduar shqiptarët e Greqisë që u shkrinë si lumi në det për të treguar dashurinë e mallin e manifestuan krenarinë e tyre për shqiptarinë e Shqipërinë. Po e vërtetë kanë ikur edhe këto 10 vite shumë shqiptarë, shumë më tepër se janë kthyer”, tha ai ndërsa iu bëri thirrje emigrantëve të kthehen. 

“Atij që do të besojë te Shqipëria e sotme, Shqipëria e nesërme do t’ia kthejë shumëfish besimin..... Ama me të gjitha problemet e veta, Shqipëria ku drejtësia mbahej lidhur si qen gjahu me litarin e agallarëve të saj të paprekshëm, Shqipëria ku vriteshin çdo vit mbi 100 vetë dhe ku policët i shtynin makinat që mbeteshin pa benzinë rrugëve, Shqipëria ku turizmi mbahej vetëm nga patriotizmi dhe ku rrugëve kishte më shumë togje plehrash të pa mbledhura se turistë, Shqipëria ku ju duhet të merrnit rrugën mbrapsht, ta kalonit detin për të shkuar për të marrë një dokument dhe pastaj nuk dilnit dot nga sheshi i trageteve pa paguar policin e radhës, - ka vdekur. Siç ka vdekur një herë e përgjithmonë çdo shans që hijet e të shkuarës të kthehen mbi kalë për ta shaluar në drejtim të paditur fatin evropian në Shqipërisë", mbylli Rama. 

Pas Milanos, Rama do të takohet me shqiptarët e Londrës në 2 qershor dhe 16 qershor në Düsseldorf.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë