Drejtësia

Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin për Izet Haxhinë, dënohet me 21 vite burg

Gjykata e Lartë vendosi të mos pranojë rekursin e Izet Haxhisë, ish-truprojës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kjo nënkupton se ndaj tij mbetet në fuqi dënimi me 21 vite burgim për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari.

Izet Haxhia akuzohet se në shtator të vitit 1998, ka vrarë me armë zjarri ish deputetin demokrat, Azem Hajdari. Vendimi për dënimin e tij me 21 vite burg u mor nga gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës në shkurt të vitit 2022 por ish truproja e Berishës e ankimoi në gjykatën e Apelit ku më pas në tetor u la në fuqi i njëjti vendim, i cili u konfirmua dhe nga Gjykata e Lartë.

Pas vrasjes së Azem Hajdarit, Haxhia u arratis për të qëndruar afro 2 dekada në Turqi, ku u arrestua në vitin 2006, për t’u ekstraduar më pas në 2018.

Ndërkohë që po përgatitej dosja e tij për ekstradim në Shqipëri, Haxhia kërkoi streëhim politik në Turqi, me pretekstin se i rrezikohej jeta. Atij nuk iu miratua jeta por fitoi një leje qëndrimi për një kohë të pacaktuar, me kushtin që të mos dilte nga Turqia.

Për 12 vite me radhë, autoritetet turke kanë refuzuar ekstradimin e tij, por në 2018, Gjykata e Lartë turke aprovoi ekstradimin dhe ky vendim u firmos nga Ministri turk i drejtësisë.

Në  gjyqin që u zhvillua pa praninë e tij, Haxhia nga Tropoja u dënua në 2002 me 25 vite burg.

Pas ekstradimit nga Turqia, haxhia nisi betejën me drejtësinë shqiptare për një nga ngjarjet më të mëdha të ndodhura në vend, ku dhe ështës cilësuar si ‘vrasja e shekullit’.

Pas viteve ’90, Haxhia ka qenë për një periudhë të gjatë truprojë e ish-presidentit Sali Berisha, me të cilin kërkoi edhe përballje në gjyq, duke e akuzuar si një nga përgjegjësit për vrasjen e Hajdarit.

Asokohe, Haxhia la studimet për mjekësi për të punuar 24 orë si truproja i Berishës.

Azem Hajdari u vra me armë zjarri jashtë godinës së Partisë Demokratike më 12 shtator 1998 ndërkohë që i dënuari për vrasjen e tij, Haxhia, nuk e ka pranuar kurrë se është ai autori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë