Drejtësia

I dënuar me 4 vite burg në Shqipëri, biznesmeni Davide Pecorelli do të ekstradohet nga Italia

Gazeta Si - Gjykata e Apelit në Peruxhia i ka vendosur ekstradimin drejt Shqipërisë të Davide Pecorelli-t, biznesmenit 49-vjeçar italian nga Valtiberina, i cili u dënua me 4 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës për disa vepra penale në Shqipëri.

Ndaj 49-vjeçarit kishte një urdhër-arresti të firmosur në vitin 2022, për veprat penale të mashtrimit përdhosjes së varreve, pengimit të drejtësisë, shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kalimit të paligjshëm të kufirit.

Pecorelli akuzohet se inskenoi vdekjen e tij në janar të 2021, ku makina e tij u gjet e shkrumbuar në fshatin Gjegjan të Pukës dhe brenda saj u gjetën edhe eshtra njerëzore, duke bërë fillimisht që të mendohej se i përkisnin pikërisht 49-vjeçarit.

E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë në vëmendje edhe "historinë" e tij se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur.

Akuza e fundit ra, ndërsa për akuzat e tjera Pecorelli, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, u dënua në prill të këtij viti me 4 vjet burg nga Gjykata e Pukës.

E gjithë ngjarja u inskenua për shkak të borxheve, të cilat e çuan të ndërmerrte këto veprime. Për këto vepra ai u vendos në arrest provizor në Itali. 

Avokatët e Pecorelli-t, i cili është baba i 4 fëmijëve, njoftuan se do ta ankimojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për ta ekstraduar 49-vjeçarin drejt vendit tonë, me argumentin se dënimi i dhënë për të është në proporcion të zhdrejtë me akuzat e ngritura. Ata po ashtu mësohet se kanë kërkuar një vlerësim të kushteve të institucionit të vuajtjes së dënimit ku do të transferohet klienti i tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë