Gazeta Si – Dy ditë pas shkarkimit nga KPA, Alfred Balla, me anë të një njoftimi për mediat sqaron se ai është ende në detyrë si kryetar i KLP-së, duke dhënë edhe argumentet kushtetuese që e mbajnë ende në këtë detyrë.
“Duke u nisur nga interesi i gazetarëve dhe i publikut pas vendimit të KPA-së, më duhet personalisht të sqaroj; Nisur nga fakti që KLP-ja nuk kishte të programuar mbledhje për vendimmarrje këtë javë apo javës që vjen; Fakti që 9 anëtarë të Këshillit kanë qenë deri sot për vizitë pune jashtë shtetit. Nuk ishte e domosdoshme dhe realizueshme mbledhja e Komisionit përkatës dhe e Këshillit në mënyrë urgjente.
Nga ana tjetër në analizë të përmbajtjes së vendimit të KPA-së (shkurtim pasi ende nuk është zbardhur i plotë) të venë në dispozicion vlerësoj se:
Nuk ka analizuar e vërtetuar fakte që të bënin të diskutueshme zgjedhjen time si anëtar jomagjistrat i KLP-së, për të pasur vend për tu zbatuar neni 149/ b i Kushtetutës.
Gjithsesi, javës që vjen është planifikuar mbledhje e Komisionit dhe e Këshillit dhe ky problem do të analizohet e vlerësohet nga vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dua të theksoj se, mua më ka mbaruar mandati kushtetues 5 vjeçar dhe po qëndroj në detyrë, për shkak të parashikimit kushtetues, deri në emërimin e personit që do më zëvendësoj. Ky shpjegim është i nevojshëm, për mos krijimin e situatave abuzive, referuar vendimit të KPA-së dhe efektit që ai ka mbi një organ tjetër kushtetues, pasi nuk është në interes të publikut.”, shprehet në reagimin e tij Alfred Balla.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mbajë një mbledhje në 27 maj me vetëm një pikë në rendin e ditës, diskutimin e ndikimit ose jo të vendimit Nr.23, datë 21.05.2024 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi statusin e anëtarit të KLP-së, të zgjedhur nga Parlamenti si pjesë e Shoqërisë Civile Shqiptare, zotit Alfred Balla.
Sipas Komisionerit Publik, Vettingu ndaj Ballës, duhej ndërprerë, por ai nuk duhet të ketë të drejtën të ushtrojë funksionet e prokurorit, gjyqtarit apo anëtarit të KLP e KLGJ në 15 vitet në vijim.
Ky ishte vendimi që mori pak ditë më parë Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili vendosi të pranojë ankimin e bërë nga Komisioneri Publik kundër vendimit të KPK ndaj Ballës, që në vitin 2023 vendosi të ndërpresë pa një vendim përfundimtar procesin e vetingut ndaj Ballës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.