Analize

Ministria duhet të tregojë vatrat e Covid-19

Është vetëm 7 vjeç. Një xham i hollë i ka depërtuar në brendi të njërës dorë. Duhet të operohet. Si ai, ka shumë të tjerë të shtruar në një spital të Anconas në Itali.

Ekipi shëndetësor pyet nënën e tij nëse ajo dhe i biri kanë kaluar Covid-19. Të dy japin përgjigje mohuese. Nuk mjafton. Djali që duhet të operohet duhet t’i nënshtrohet kontrollit të COVID-19. Edhe e ëma.

Vetëm pas përgjigjes, ata mund t’i nënshtrohen rregullave spitalore si gjithë të shtruarit e tjerë... Pra, mund të qëndrojnë në spital. Përveç tyre asnjë tjetër nuk lejohet që t’i vizitojë.

Ky është vetëm një shembull për të kuptuar se sa larg qëndron Shqipëria në situatën kaotike, që është krijuar në vend nga hapja e dyerve dhe përhapja pa fre e Covid-19.

Askush nuk pyet për askënd. Pacientë që nuk tregojnë nëse kanë pasur shenja të Covid-19, e aq më shumë nëse kanë rezultuar zyrtarisht si të tillë.

E njëjta situatë edhe për ata që i vizitojnë. Nuk tregojnë. Si dhe, nuk ka kontrolle të rrepta. Përveçse një këshillë që mosha e tretë të shmangë spitalet.

Personel mjekësor i shkujdesur (si rasti i një infermiere në QSUT), e jo vetëm. Institucione shtetërore e private (përveç bankave), që nuk respektojnë rregullat.

Protokolle që s’po shihen gjëkundi të zbatuara, veçse në letër.

Nuk ka të dhëna publike se sa kontrolle janë bërë, çfarë po bëjnë inspektoriatet në Tiranë e rrethe, sa raste kanë evidentuar me shkelje, sa janë penalizuar.

Nuk dihet se sa struktura Task-Force janë ngritur, sa kapacitet në njerëz kanë, a e përballojnë  fluksin në terren?

Deri të hënën askush nuk fliste për të.

E përmendi shkarazi për herë të parë Policia e Shtetit përmes një njoftimi për shtyp ku ndër të tjera thuhej se, “strukturat e Policisë vijojnë punën në terren, në bashkëpunim me Task Forcën, për monitorimin dhe kontrollin e çdo subjekti, institucioni apo njësie tregtare, për zbatimin e protokolleve të sigurisë”.

Cilat janë vatrat në Tiranë e rrethe? Se nuk mund të izolohet një qytet i tërë për dy- tre vatra. Çfarë kontrollesh po ndiqen aty?  

A po funksionon gjurmimi dhe si, ndaj individëve të cilëve ISHP u rekomandon thjesht që të qëndrojnë në karantinë. Kush i kontrollon ata?

Vetëm një javë pas kërcitjes së shifrave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit njoftoi se, policia disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e të infektuarve me Covid-19, që u vihen në dispozicion Drejtorive Vendore të Policisë dhe se në bazë të tyre, ata telefonojnë me secilin duke kërkuar që ata të mos dalin nga banesa se ndryshe ka penalizime.

Por, vetëm kaq.

Turma njerëzish nëpër kafene, qendra tregtare e markete pa asnjë masë mbrojtëse. Të gjithë bashkë. Ai me Covid-19 dhe pa.

Askush nuk siguron se si po funksionon dhe sa efikase është hallka e menaxhimit dhe kontrollit ndaj institucioneve e aq më tepër ndaj individëve.

Jo shumë larg nesh, vende të rajonit po i japin drejtim përmes kontrolleve rigoroze, teknologjisë dhe risive të fundit që po aplikohen në vende të Europës dhe më gjerë. 

Këtu ministria e Shëndetësisë poston një video, si para tre muajve. 

“Çdo qytetar mund të ndihmojë në kufizimin e përhapjes së #COVID19; Kur dilni, ruani distancën 1.5 metër; Mbani maskë/barriera mbrojtëse kur nuk është e mundur të ruhet distanca fizike; Lani shpesh duart dhe Dezinfektoni dhe ajrosni ambientet ku qëndroni RuaniShëndetin #Mbroni veten dhe të tjerët...”, thuhet në postimin e ministrisë...

...Në një vëzhgim të fundit të Gazetës “Si”  është vënë re që në institucionet e ndryshme në Tiranë, njerëzit nuk shkojnë me maska apo me doreza, si në Bashkinë e Qytetit, Fondin e Sigurimeve Shëndetësore apo Qendrat Shëndetësore 2,6 dhe 9.

Epidemiologu Erion Dasho i shpjegoi Gazetës “Si “ se shumë pacientë janë infektuar në QSUT dhe pikërisht infektimet atje besohet se kanë shkaktuar vatra të shumta.

“Ka pasur infektime madje edhe në qytete si Gjirokastra që deri tani nuk kishin pasur asnjë rast me Covid-19. Mendoj se bluzat e bardha janë nën presion. Është detyra e organizatave si Urdhëri i Mjekut, Urdhëri i Infermierit dhe Shoqatat Profesionale të ngrenë zërin në mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së kolegëve tanë. Edhe shoqatat e pacientëve dhe shoqëria duhet të shqetësohen pasi institucionet shëndetësore u kthyen tashmë në vatra të transmetimit të infeksionit,” tha Dasho.

Më tej epidemiologu i shpjegon Gazetës “Si” se  në këtë gjendje jemi për shkak të strukturave tona zyrtare dhe në veçanti të komitetit të ekspertëve që nuk i kanë marrë masat në kohën e duhur.

“Gjithë Europa ka aplikuar atë që quhet riorientim i shërbimeve shëndetësore në përgjigje të epidemisë së COVID. Shqipëria pati 3 muaj për ta bërë këtë dhe nuk e bëri. Për më tepër, në Shqipëri u godit pikërisht ajo që nuk duhej të ishte goditur - QSUT, institucioni lider i sistemit tonë shëndetësor, që ka furnizimin më të mirë me mjete mbrojtëse dhe, mbi të gjitha, përgjegjësinë për të trajnuar pjesën tjetër të sistemit,” tregon Dasho.

Më tej epidemiologu i shpjegon Gazetës “Si” se nevojiten masa urgjente për të hartuar protokolle dhe për t'i shpërndarë ato në çdo institucion shëndetësor, për të trajnuar të gjithë personelin mjekësor në zbatimin e tyre, për të pajisur strukturat shëndetësore me pajisje mbrojtëse dhe për të garantuar zbatimin korrekt të tyre.

Dasho shpjegon se nëse  kjo gjendje vazhdon edhe më tej,  do të kalonte në kufijtë e papërgjegjshmërisë.

Ndërkohë përllogaritjet e mikrobiologut, Ethem Ruka  tregojnë se do të ketë rritje të rasteve gjatë ditëve të ardhshme, nisur nga ecuria e infektimeve nga 1 qershori.

Ndërkohë, a duhet t’i bëjmë publike vatrat e virusit fundja për t’u mbrojtur edhe vetë ne, si individë?

Ka qenë kjo pyetja kryesore që i kemi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, por ende nuk kemi një përgjigje.

“Ky është modeli që e kanë ndjekur që në fillim të epidemisë shumë vende. Që vatrat e nxehta të afishohen ose në një hartë online ose në një aplikacion, ku vendos ZIP code dhe merr informacion mbi rrezikshmërinë në zonën ku banon. Një aplikim të ngjashëm ja kam propozuar për zbatim komitetit të ekspertëve në fillim të muajit mars, por nuk e kam parë të materializuar. Më vjen keq, sepse aplikacione të ngjashme janë përdorur me sukses në shumë vende. Gjithsesi, edhe këtu nuk është vonë të rishihet përdorimi i tij. Unë kam qenë dhe mbetem i hapur ta vendos atë në dispozicion të komitetit të ekspertëve”, thotë Dasho.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë