Drejtësia

Inceneratori i Tiranës, ç’ndodhi në një vit hetime dhe pse SPAK nuk e ka mbyllur ende dosjen

Gazeta Si - Pas të paktën një viti që nga nisja e hetimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj është paraqitur këtë të martë për herë të parë në SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Akuzat për të cilat po hetohet për këtë çështje, janë shpërdorim detyre, ushtrim ndikimi ndaj funksionarëve publik dhe korrupsion, të shoqëruara këto nga kallëzimet dhe denoncimet e shumta nga ana e opozitës. Në verifikimin e SPAK, janë dhe veprimet e disa institucioneve që janë marrë me procedurat e kontratës, si Ministria e Financave që ka dhënë dakordësinë e saj për këtë projekt për të cilin raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka gjetur probleme. Por nën hetim SPAK ka vënë edhe veprimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Tiranës.

Erion Veliaj në SPAK

Djegësi që nuk u ndërtua kurrë

Ashtu si në rastin e inceneratorit të Elbasanit dhe të Fierit, zyrtarët e përfshirë janë ish-ministri i Mjedsit Lefter Koka dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako.

Rreth 7 vjet pas miratimit të kontratës, gropa financiare është gati 100 milionë euro të shpenzuara përmes buxhetit të shtetit, tarifës së depozitimit të mbetjeve dhe tarifës së operatorëve privatë për depozitimin e dherave, ndërkohë që inceneratori i premtuar nuk u ndërtua asnjëherë.

Sekuestrimi

Një hap i rëndësishëm drejt hetimeve ndodhi në gusht 2023, ku SPAK njoftoi se GJKKO pranoi kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të kompanis "Integrated Energy B.V SPV", e cila kontrollon inceneratorin e Tiranës.

Sipas prokurorisë, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të përfshirë dhe në ndërtimin e dy impianteve të tjerë të ngjashëm për trajtimin e mbetjeve, në Elbasan dhe Fier, rezultojnë të jenë pronarët “de facto” të kësaj shoqërie.

Opozita denoncon aferën e inceneratorit të Tiranës

Ata akuzohen se përmes faturave false, të dy sipërmarrësit, tashmë të shpallur në kërkim, dyshohet të kenë përfituar afro 4 milionë euro

Nga hetimet ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët, si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare.

Prokuroria shpjegoi se “është evidentuar fakti se dy sipërmarrësit, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. apo dhe shoqërinë mëmë në Holandë.

Fatura fiktive

Sipas prokurorisë, dy sipërmarrësit kanë përfituar po ashtu afro 4 milionë euro duke përdorur fatura të rreme tatimore.

“Zoto ka paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Technology Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare të Tiranës.. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë Zoto dhe Mërtiri”, nënvizon Prokuroria.

Lefter Koka e Alqi Bllako, dy nga zyrtarët e akuzuar për aferën e inceneratorit të Tiranës

Për këtë arsye, nën sekuestro, përveç shoqërisë koncensionare të impiantit në Tiranë, është vënë dhe kompania e Zotos, “Integrated Technology Services”, e cila ka një tjetër masë sekuestroje që prej vitit të shkuar, për rastin e Fierit.

Prokuroria po ashtu vendosi sekuestro preventive dhe një sipërfaqe prej 611 m2 me vlerë 1 milion euro, e cila është në emër të shoqërisë “F.M.O”.

Sipas prokurorisë “është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k”, dhe se blerja e pasurisë për llogari të kësaj kompania është realizuar përmes të ardhurave të siguruara nga përfitime të paligjshme.

Hetimet vazhdojnë

Në lidhje me këtë çështje, kreu i SPAK, Altin Dumani, shpjegoi gjatë një takimi informal me gazetarët në terma juridikë dhjetorin e shkuar se hetimet për inceneratorin e Tiranës vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime, duke lënë të kuptojë se dosja ende nuk ishte gati për t’u dërguar për gjykim.

“Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion. Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet! Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë patur në duar vendimmarrje”, është shprehur Dumani.

Veliaj dhe akuzat

I vënë në shënjestër të akuzave nga opozita për inceneratorin e kryeqytetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi verën e shkuar, duke shkruar në Tëitter se “histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga “Non Gratat” s’e kanë marrë vesh akoma që jemi në epokë tjetër!”.

Por gati 7 vjet pas nënshkrimit të kontratës, në kryeqytet funksionon vetëm landfilli, ndërsa inceneratori nuk ka nisur as të ndërtohet.

Ndërsa hetimet për rastin e Tiranës janë ende në vijim, SPAK ka hedhur hapin e radhës, duke u ballafaquar me kryebashkiakun e Tiranës, i cili prej kohësh akuzohet nga opozita si njeriu kyç i kësaj afere.

Një akuzë të ngjashme lëshoi ndaj tij, por pa ofruar prova e fakte, edhe ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në arrati që prej verës së shkuar, pasi Prokuroria e Posaçme, kërkoi arrestimin e tij, po për çështjen e inceneratorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë