Ka ndodhur

Vrau me thikë një person në vitin 2019, arrestohet 31-vjeçari i shpallur në kërkim

Gazeta Si - Një 31-vjeçar, Sadri Selaci, i shpallur në kërkim pasi ishte dënuar me 19 vjet burg për vrasjen e Florian Selimit më 11 gusht të vitit 2019, u arrestua në Fier.

Në lidhje me këtë ngjarje është dënuar me 19 vjet burg edhe Kiri Mernica, i cili aktualisht po e vuan dënimin.

Florian Selimi, 23 vjeç, u gjet i vrarë në fshatin Sulaj të Fierit në 11 gusht të vitit 2019. Ai ishte goditur me thikë dhe trupi i tij ishte hedhur në një kanal.

Nëna e të ndjerit, Dukate Selimi, kishte denoncuar më herët në emisionin Uniko faktin se si po tentohej të manipulohej vrasja e djalit të saj dhe fajtorët të liroheshin nga akuzat. Mirëpo pas denoncimit në emision, hetimet morën një rrjedhë tjetër.

“Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim. Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Kiri Mernica (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin Florian Selimi”, njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë