Ka ndodhur

Protesta para bashkisë së Tiranës, policia publikon masat dhe bën thirrje për distancim nga dhuna

Opozita ka paralajmëruar protestën e radhës e cila është planifikuar të nisë pasditen e sotme rreth orës 16:30, gjatë orarit kur do të zhvillohet edhe mbledhja e Këshillit Bashkiak.

Në lidhje me këtë tubim, ka reaguar Policia e Shtetit duke bërë me dije se prej orës 16:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.

Ndaj, uniformat blu sugjerojnë qytetarët që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

“Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, sot, prej orës 16:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”.

Forcat e Rendit kanë bërë po ashtu thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime që të respektohet ligji dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.

“Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë dhe pjesëmarrësve në tubim përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë