Analize

Kamera, aplikacione dhe dronë. Si kontrollohen të infektuarit në botë?

Udhëheqësit botërorë e kanë cilësuar pandeminë e koronavirusit si krizën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje disa prej tyre, si Presidenti Francez Emmanuel Macron kanë deklaruar se janë në "luftë" kundër “armikut të padukshëm.

Dhe ashtu siç ndodh në gjendje lufte, një sërë qeverish janë duke ndërmarrë hapa të pazakonta për të luftuar shpërthimin, përfshirë përdorimin e mjeteve ekstreme të mbikëqyrjes që qytetarëve, Një nga mjetet më të zakonshme që ka qenë mbledhja e të dhënave për vendndodhjen dhe lëvizjen e të infektuarve nga aplikacione të ndryshme që shkarkohen në telefonat celularë. Kryefjala e strategjisë e të gjitha vendeve perëndimore ka qënë gjurmimi dhe monitorimi. Por, si mund të kontrollohet nëse një qytetar i infektuar e ka shkelur ose jo karantinën, duke rrezikuar të gjithë ata përreth tij.

Kina mobilizoi mjetet e saj të mbikëqyrjes masive, nga dronët në kamerat e rrugës, për të monitoruar njerëzit e karantinuar dhe për të ndjekur përhapjen e koronavirusit.

Kombet e tjera si Izraeli, Singapori dhe Koreja e Jugut po përdorin gjithashtu aplikacionet, kamerat dhe informacionin e kartave të kreditit, për të monitoruar pacientët me Covid-19 në vendet e tyre.

Në Kinë, qeveria instaloi kamera që në derën e apartamenteve të atyre që ndodhen nën një karantinë 14-ditore për ‘u siguruar që ato nuk do të largohen. Ndërkohë, lagjet që janë kthyer në vatra kryesore të koronavirusit dhe vazhdojnë të jenë në izolim, monitorohen nga dronët ,të cilët u thonë njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi ose të venë maska kur e kanë të nevojshme. Ndërkohë, barkodet dixhitale në aplikacionin e krijuar nga qeveria, informojnë vazhdimisht autoritetet për gjendjen shëndetësore të individëve, rast se ndonjëri prej të infektuarve ka nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.

Qeveria po ashtu rekrutoi vullnetarë për të furnizuar me ushqimet dhe mjetet bazë të infektuarit.

Qeveria ka punuar gjithashtu me “Alibaba Group” dhe gjigantin e mediave sociale në Kinë  “Tencent Holdings” dy kompanitë më të mëdha të teknologjisë së vendit, për të krijuar aplikacione që bëjnë vlerësime shëndetësore për individët. Sistemi i Alibabas ka ndihmuar në zhvillimin e këtyre aplikacioneve. Përdoruesve pa simptoma u vihen drita jeshile që u lejojnë të kalojnë nëpër pikat e kontrollit të qytetit me skanimin e një kodi QR, ndërsa përdoruesve me rrezik u jepet drita e verdhë ose e kuqe që kufizon lëvizjet e tyre.

Këto janë vetëm disa nga mënyrat se si ekonomia e dytë më e madhe në botë ka mobilizuar aparatet e saj të mbikëqyrjes shtetërore për të ndihmuar në kontrollin e shpërthimit të koronavirusit. Në fillim të pandemisë, disa nga masat e Kinës duken ekstreme, por tanimë të gjitha vendet perëndimore kanë marrë vendimin për të rritur mbikëqyrjen e individëve të infektuar.

Teknologjitë e përdorura nga qeveritë në mbarë botën kanë për qëllim të identifikojnë se ku janë personat e infektuar dhe a po e shkelin karantinën. Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që krijoi një aplikacion për gjurmimin e kontakteve të të infektuarve për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Aplikacioni “StopKorona” doli drejtpërdrejt në 13 prill dhe mund të instalohet në cdo smartphone. Ai ka në bazën e përdorimit të tij Bluetooth dhe paralajmëron përdoruesit nëse ata kanë rënë në kontakt me dikë që ka rezultuar pozitiv me koronavirusin, bazuar në distancën midis celularëve.

Aplikacioni, i shkarkuar më shumë se 5000 herë në ditën e parë që doli në Playstore, u krijua dhe iu dhurua autoriteteve maqedonase nga kompania softuer “Nextsense” me bazë në Shkup.

Në Singapor, qeveria nxori një aplikacion të quajtur “TraceTogether”. Ai përdor sinjale Bluetooth midis celularëve për të parë nëse të infektuarit kanë qenë në kontakt të ngushtë me njerëzit e tjerë.

Në Hong Kong, disa banorë u detyruan të vinin një byzylyk, i cili lidhej me një aplikacion që të paralajmëron autoritetet nëse një person dilte nga karantinë.

Në Korenë e Jugut, qeveria përdori të dhëna të tilla si transaksionet e kartave të kreditit, GPS-in në smartphone, kamerat e sigurisë si dhe biseda me njerëzit, për të krijuar një sistem ku u gjurmuan rastet e konfirmuara. Kjo bëri të mundur krijimin e një hartë që mund t'u tregonte njerëzve nëse kishin rënë në kontakt me një të infektuar.

Në disa pjesë të Indisë njerëzve po u vihen vula në duar, duke u thënë atyre se sa kohë duhej të karantinohen. Nëse ata shihen në publik, shoqërohen menjëherë brenda nga autoritetet.

Në SHBA, qeveria ka bashkëpunuar e Facebook, Google dhe kompani të tjera të teknologjisë për gjurmimin e vendndodhjes së të infektuarve.

Australia nga ana tjetër ka prodhuar një aplikacion për gjurmimin e të gjithë atyre që kanë rënë në kontakt me rastet e konfirmuara, pavarësisht shqetësimeve se aplikacione të tilla smartphone mund të cenojnë privatësinë e qytetarëve.

Duke përdorur një sinjal të Bluetooth, aplikacioni COVIDSafe lejon zyrtarët shëndetësorë të kenë informacione thelbësore në lidhje me ndërveprimet e një personi të infektuar me koronavirusin. Të gjithë numrat e telefonit celular të atyre që kanë qënë në një distancë prej 1.5 metra me personin e infektuar, për 15 minuta ose më shumë ruhen. Atyre u dërgohet një mesazh të vetëizolohen dhe të qendrojnë në pritje autoriteve shëndëtësore për të bërë tamponin.

Të gjithë ata që janë regjistruar të infektuar në aplikacion, i dërgohet një sinjal sa herë që një pacient bie në kontakt me një person tjetër të shëndetshëm (që nuk është regjistruar në sistem si i prekur), që do të thotë se ka shkelur karantinën, duke dalë jashtë dhe duke rënë në kontakt me të tjerë. Përmes këtij aplikacioni dhe ngritjes së një taks-force, Australia ka bërë të mundur “kontrollimin”  e të gjithë të infektuarve.

Ndërkohë që Italia vendosi të dilte nga karantina, autoritetet kanë qënë duke punuar për një aplikacion që do të gjurmonte lëvizjet e të gjithë njerëzve që kanë rënë në kontakt me një rast të konfirmuar. Duke pranuar shqetësimet për privatësinë dhe kontrollin e të dhënave, ministri i inovacionit Paola Pisano tha se kjo do të ndihmojë në kthimin e vendit drejt normalitetit.

Një tender i shpejtë u dha për aplikacionin, për të mbuluar monitorimin dhe ndihmën mjekësore  të të infektuarve. Ky aplikacion bën të mundur gjurmimin e kontakteve të të infektuarve dhe monitorimin e lëvizjeve të tyre përmes GPS. Por kritikët thonë se aplikacioni nuk është zgjidhja për efektive për kontrollin e rasteve të reja, pasi disa prej tyre mund të lënë izolimin pa marrë celularin me vete. Gjermania po ashtu përdor po ashtu një aplikacion të ngjashëm të mbështetur nga gjigantët e teknologjisë amerikane Apple dhe Google.

Izraeli nga ana tjetër ka vendosur mos të ruajë anonimatin e personave të infektuar, duke bërë publike jo vetëm emrat e tyre, por të gjitha lëvizjet e tyre në vendet publike. Të njëjtin vendim ka marrë edhe Mali i Zi.

Si në Podgoricë ashtu edhe në Tel Aviv ka pasur kritika të zbehta se kjo mund t’i vendosë të infektuarit nën presionin e mediave dhe të publikut, por autoritetet mbrojnë vendimin duke deklaruar se të gjitha të dhënat publikohen që të ndihmojnë qytetarët e tjerë që të mësojnë nëse kanë pasur kontakt apo jo me ta.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë