Rend dhe Ligj

Tritoli në banesën e gjyqtarit, policia kërkon ndihmën e qytetarëve: 30 mijë euro kush ka informacion

Gazeta Si - Dy ditë pas vendosjes së tritolit në banesën e gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj, policia ofron 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion që mund të çojnë në kapjen e autorit.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e të dielës, por fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar. Këshilli i Lartë Gjyqësor, të hënën vendosi  t’i ofrojë mbrojtje magjistratit dhe familjes së tij për gjashtë muajt e ardhshëm.

Policia po e heton ngjarjen në pistën e intimidimit të gjyqtarit Sterkaj për shkak të detyrës. Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që vendosja e eksplozivit të jetë bërë për shkak të ndonjë konflikti. Por vetë 62 vjeçari tha jashtë kamerës se nuk ka marrë më herët kërcënime.

Pas ngjarjes Sterkaj u mor në mbrojtje nga policia, ndërsa autori është ende në kërkim.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, sulmin ndaj gjyqtarit e ka cilësuar si akt burracakësh, ndërsa tha se zbardhja e kësaj ngjarjeje është një akt prove për Policinë e Shkodrës.

Ai theksoi se kushdo që guxojë të intimidojë me akte të tilla prokurorë apo gjyqtarë, do të marrë përgjigjen e merituar nga drejtësia.

Ka qenë ora 2 e 55 kur autori afrohet qetësisht pranë banesës së gjyqtarit, duke mos u shqetësuar as nga lehja e qenit. Personi i cili është i maskuar, me kapuç dhe doreza nxjerr lëndën eksplozive nga xhupi. Më pas e ndez në cepin e portës së banesës dhe largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Autorit i janë dashur rreth 1 minutë për të kryer të gjithë aktin ndërsa nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë