Shendet

Më pak vizita dhe më shumë pacientë terminalë, çoroditja që solli pandemia për kancerin e gjirit

Pandemia e Covid-19 dha efekte e saj edhe tek të sëmurët e kancerit të gjirit. Mjekët pohojnë se në dy vitet e fundit, numri i vizitave diagnostikuese për këtë sëmundje ka rënë në krahasim me vitet e mëparshme për shkak të hezitimit të pacientëve për t'u paraqitur te doktori. Shefja e Shërbimit të Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Silva Çeliku thotë për Gazetasi.al se janë rreth 700 rast të reja për kancerin e gjirit të evidentuara në vit; çka gjithsesi nuk shënon një ndryshim drastik nga vitet e shkuara përas u përket rasteve të reja.

Por nga ana tjetër ajo shprehet se ka rritje të rasteve që identifikohen në stade të avancuara, kur kanceri ka lëshuar metasaza në trup dhe kjo e bën më të vështirë trajtimin. Kjo tregohet edhe në shifrat e mamografisë. Megjithëse falas në sektorin shtetëror, përgjatë vitit 2019 janë kryer 4261 vizita, ndërsa për vitin 2020 ka pasur një rënie të ndjeshme, deri në 877 vizita.

Dr.Silva Çeliku

Në lidhje me ofrimin e shërbimit në onkologjik Çeliku shpjegon se spitali onkologjik ka pasur një rritje të shërbimeve. Mjekja shpjegon se në mënyrë të përgjithshme janë kryer rreth 15.000 trajtime gjatë vitit 2020. Ndërsa përkatësisht për kancerin e gjirit për vitin e shkuar janë kryer, 440 kimioterapi, 217 radioterapi, 247 kirurgji. Ndërsa për 9-mujorin e vitit 2021 janë kryer 329 kimioterapi, 245 radioterapi dhe 209 kirurgji.

Kanceri i gjirit është klasifikuar nga ekspertët e shëndetit publik ndër kancerët më të shpeshtë tek femrat në vendin tonë. Sipas të dhënave të INSTAT ky tumor zë vendin e dytë si shkak i vdekjeve në vend. Gazetasi.al ka sjellë hera herës në vëmendje histori të grave të ndryshme që kanë vuajtur nga kjo sëmundje, ku ka treguar me detaje se si ka qenë jeta e tyre nën kthetrat e sëmundjes.

Kanceri i gjirit është një sëmundje që ndodh kur qelizat në gji fillojnë të rriten jashtë kontrollit dhe prekin indet më të afërta. Kjo sëmundje është më i zakonshëm tek gratë rreth moshës 45-75 vjeçare dhe më rrallë tek gratë në moshën 20-30 vjeç.

Megjithëse flitet prej vitesh tashmë, Tetori Rozë na rigjen përsëri pa një regjistër kombëtar mbi kancerin dhe të dhëna “gjysmake”. Të dhënat nga studime të ndryshme tregojnë se mosha e hershme e fillimit të menstruacioneve dhe mosha e vonë e menopauzës shoqërohet me një rrezik më të lartë të kancerit të gjirit. Hulumtimet kanë treguar gjithashtu se 5-10% e të gjithë pacienteve që diagnostikohen me kancer gjiri janë të lidhura me faktorë gjenetikë. Mutacioni në gjenet BRCA1 dhe BRCA2 shkaktojnë një rritje të konsiderueshme të rrezikut për kancer të gjirit, ndërkaq gjetjet nuk e përjashtojnë faktin se sëmundja nxitet dhe nga mënyra e jetesës, marrja e hormoneve zëvendësuese tek gratë në post-menopauzë dhe konsumimi i pilulave kontraceptive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë