Shendet

Pse të rinjtë po plaken më shpejt?

Është një ankesë e cila është bërë virale në rrjetet sociale: Gjenerata Z, pretendon se po 'plaket me shpejtësinë e erës'. Në postimet e shikuara miliona herë në TikTok, teoria që bie në sy është se një brez i të rinjve, të gjithë nën moshën 27 vjeç, tashmë duken më të vjetër se brezi para tyre, Millennials (të lindur midis 1981 dhe 1996).

Një nga të parët që vuri re ishte influencuesi Jordan Hoëlett, i cili, vetëm 26 vjeç, rrëfeu para 12 milionë ndjekësve të tij se zakonisht ngatërrohej me vëllain më të madh të tij.

“Ne jetojmë në një kohë kur Millennials duken shumë më të rinj për moshën e tyre, ndërsa Gjenerata Z duken më të vjetër”, tha ai në një video të TikTok, duke shtuar se askush nuk e beson për moshën që ka, dhe kjo, sipas tij, është për shkak të stresit.

Tingëllon, pa dyshim, si kotësi. Por javën e kaluar, shkencëtarët sugjeruan se mund të ketë të paktën disa të vërteta në atë që deri tani ka qenë një teori argëtuese.

Hulumtimet e publikuara në një konferencë ndërkombëtare për kancerin zbuluan se të rinjtë e diagnostikuar me lloje të caktuara të kancerit, veçanërisht kancerin e mushkërive, gastrointestinale dhe mitrës, kishin më shumë gjasa të kishin 'plakje të përshpejtuar'.

E thënë thjesht, mosha e qelizave në trupin e tyre, e njohur si mosha e tyre biologjike, ishte dukshëm më e madhe se mosha e tyre aktuale.

Kjo është një fushë në zhvillim e shkencës dhe reflekton ‘konsumimin’ e trupit nga gjëra të tilla si stili i jetesës, dieta, mjedisi dhe stresi.

Në mënyrë intriguese, studiuesit amerikanë të përfshirë në studim thanë se kishte 'prova të forta' se rreziku i plakjes së përshpejtuar, dhe për rrjedhojë, i zhvillimit të kancerit, rritej me çdo brez të njëpasnjëshëm të lindur pas vitit 1965.

Dhe kjo mund të nënkuptojë që Gjenerata Z, ata të lindur midis 1997 dhe 2012 që po bëhen të rinj sot, janë në një rrezik shumë më të madh për të zhvilluar sëmundje potencialisht vdekjeprurëse si kanceri në një fazë shumë më të hershme sesa prindërit ose gjyshërit e tyre.

A është e mundur që ajo që po vërehet në TikTok të jetë e vërtetë? A mundet që Gjenerata Z të plaket më shpejt se gjeneratat e mëparshme?

Profesorja Ilaria Bellantuono, bashkëdrejtoreshë e Institutit Healthy Lifespan në Universitetin e Sheffield, është një nga shumë që besojnë se është e besueshme.

“Përgjigja më e lehtë është se, për momentin, ne nuk dimë mjaftueshëm për të thënë me siguri se brezat e rinj po plaken më shpejt ose pse,” thotë ajo, duke shtuar se ky hulumtim nuk është bërë por është e mundur të jetë e vërtetë.

“Ne po shohim më shumë sëmundje tek të rinjtë, llojet e sëmundjeve që normalisht mund të presim të zhvillohen tek të rriturit e moshuar”.

Dhe plakja biologjike është një faktor rreziku për këto sëmundje. Në të njëjtën mënyrë që duhanpirësit rrisin rrezikun e kancerit të mushkërive, po ashtu edhe plakja e përshpejtuar rrit rrezikun e zhvillimit të problemeve më të shumta kronike afatgjata.

Sot, shkencëtarët janë shqetësuar nga një epidemi në rritje e tumoreve me fillim të hershëm në popullatat në mbarë botën.

Statistikat janë të zymta: midis fillimit të viteve 1990 dhe 2018, kanceri në mesin e 25 deri në 49-vjeçarëve në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 22 për qind, një ndryshim më i madh se çdo grupmoshë tjetër.

Ajo që e ka shkaktuar këtë mbetet e paqartë. Ajo i është atribuar një ndërveprimi kompleks midis gjenetikës, stilit të jetesës, dietës dhe faktorëve mjedisorë.

Por studimi i fundit nga SHBA shton detaje të mëtejshme bindëse.

Studiuesit, nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Uashingtonit në St Louis, përdorën të dhëna nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, e cila përmban informacion mjekësor dhe gjenetik për gjysmë milioni të rritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe shikuan matjet në gjak të lidhura me moshën biologjike, duke përfshirë proteinat e prodhuara dhe madhësisë së rruazave të kuqe të gjakut.

Ata me plakjen më të madhe biologjike kishin dy herë më shumë rrezik të fillimit të hershëm të kancerit të mushkërive, kishin më shumë se 60 për qind më shumë gjasa për të zhvilluar një tumor gastrointestinal dhe kishin një rrezik 80 për qind më të lartë për kancerin e mitrës.

Një hetim i udhëhequr nga epidemiologu Dr Shuji Ogino, nga Universiteti i Harvardit, vuri në dukje se normat e kancerit janë rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga mesi i shekullit të 20-të.

"Që nga viti 1950, ne zbuluam se çdo brez i njëpasnjëshëm ka një rrezik më të lartë të kancerit të hershëm," tha ai.

Tek njerëzit e rinj dhe të shëndetshëm, qelizat zakonisht mund të riparohen dhe rinovohen. Por ndërsa plaken, qoftë natyrshëm apo para kohe, ky proces mund të bëhet jofunksional.

Qelizat mund të grumbullojnë dëme të cilat nuk janë në gjendje t'i riparojnë dhe të kthehen në 'qeliza zombie' të cilat mund të nxisin inflamacionin dhe zhvillimin e sëmundjeve.

Të dhënat e NHS zbulojnë një rritje prej 38 për qind të numrit të nën-40-vjeçarëve të trajtuar për sulme në zemër në një dekadë. Rritja më e madhe, 89 për qind, ishte tek 20-24-vjeçarët.

Është e ngjashme për diabetin e tipit 2. Auditimi i fundit Kombëtar i Diabetit, i publikuar në dhjetor, tregon se numrat e diagnostikuar u rritën me 11.6 për qind midis 2017 dhe 2022. Por është më keq tek të rinjtë. Në moshën nën 40 vjeç, rritja është 18.7 për qind dhe 21 për qind në moshën 19 deri në 25 vjeç.

Ka zhvillime të tjera që marrin vrull me çdo brez të ri. Puberteti ka ardhur më herët, veçanërisht te vajzat, me tre muaj çdo dekadë.

Kjo është e lidhur me një rrezik më të lartë të depresionit, ankthit dhe abuzimit me substancat, dhe gjithashtu mund të rrisë rrezikun e kancerit të gjirit ose mitrës në moshën madhore.

Ndërsa askush nuk e di me siguri se çfarë e shtyn atë, ka të dhëna. Një prej tyre është dieta.

Mjekët theksojnë se, në vendet me të ardhura të larta si Britania e Madhe dhe SHBA, gjeneratat e lindura që nga vitet 1950 janë ekspozuar ndaj sasive në rritje të ushqimeve të përpunuara, të pasura me yndyrë, sheqer dhe kripë, dhe që përmbajnë shije artificiale, ngjyra dhe kimikate industrial.

Nga 12 lloje kanceri që po bëhen më të zakonshme tek njerëzit nën 50 vjeç, tetë lidhen me sistemin tretës por në Japoni, ku dietat përfshijnë më shumë peshk, perime dhe bishtajore, nuk ka pasur rritje të këtyre kancereve të hershme.

Obeziteti, gjithashtu, shpesh i lidhur me një dietë të varfër, ka të ngjarë të luajë një rol të madh.

Në vitin 1980, gjashtë për qind e burrave dhe nëntë për qind e grave ishin obezë, sot është më shumë se një e katërta. Po prek gjithnjë e më shumë edhe fëmijët. Përqindja e atyre që janë obezë është rritur nga 17.5 për qind në 2006 në 23.4 për qind në 2021. Dhe studime të shumta kanë treguar se obeziteti mund të përshpejtojë plakjen në qelizat e trupit.

“Nuk është çudi që po shohim më shumë sëmundje tek të rinjtë”, thotë Ogino.

“Ne e dimë se më shumë fëmijë janë mbipeshë ose obezë. Ata qëndrojnë më shumë ulur se gjeneratat e mëparshme dhe mund të ekspozohen më shumë ndaj ndotjes së mjedisit dhe një diete të varfër që nga lindja. Kjo do të thotë që njerëzit po grumbullojnë dëme gjenetike më herët, gjë që përshpejton moshën biologjike dhe nxit sëmundjet. Është e gjitha e lidhur'.

Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë