Do flas dhe unë

Letër mjekëve shqiptarë që më thanë se kanceri im, nuk është kancer!

Nganjëherë edhe doktorët më të mirë gabojnë në diagnozën e një sëmundjeje. Përpara pak kohësh Gazeta "Si" tregoi historinë e një vajze 18-vjeçare të cilës mjekët i kishin ngatërruar sëmundjen, por mesa duket rastet e tilla në vendin tonë nuk kanë të ndalur; edhe pse shpeshherë ngelen në heshtje.

Së fundmi letra e Anjeza Hallvaxhiut (nëna e dy fëmijëve të vegjël), drejtuar mjekëve të një spitali privat në Tiranë, ka "pushtuar" rrjetet sociale. 32-vjeçarja tregon me detaje se si mjekët kanë neglizhuar sëmundjen e saj, e cila u përcaktua si kancer nga një klinikë e huaj dhe lutet që doktorët të marrin seriozisht çdo paciente të radhës që do të kenë.

Nga Anjeza Hallvaxhiu- Përshëndetje Dr. Agim Karaj
Përshëndetje Dr. Artan Bodeci
Përshëndetje Dr. Klaudia Karaj
Përshëndetje Dr. Shahin Kadare
Unë jam Anjeza HALLVAXHIU (nuk e di nëse emri im ju thotë diçka). Jam pacientja juaj dhe dua t’ju marr pak kohe, sepse kam diçka shume serioze për t’ju thëne. Jam jashtë Shqipërisë për momentin dhe nuk mund te vij t’ju takoj personalisht.
Jam operuar në kliniken tuaj “Amavita” ne 16 Dhjetor 2017 për një mase që kisha në gjoksin e majtë. Diagnoza pas biopsisë të bërë nga doktor Kadare ishte “fibroadenome”.
Në fund të muajit mars 2018 fillova të kem shqetësime në sqetull. Kam ardhur në kliniken tuaj 5 herë për konsulte për periudhën 4 prill-24 qershor, herë me ju doktor Agimi, herë me doktor Artanin dhe herë të gjithë bashkë me doktoreshën Klaudia. Kam bërë edhe eko gjiri me mjekun tuaj në klinikë.
Përgjigjja juaj, doktor Agimi, në fillim të prillit ishte: “Nuk ke asgjë, ke dy masa të tjera në gjoks, por janë “beninje fibroadenome”. Në sqetull nuk ke asgjë, por të duket ty”. Me pas i thatë bashkëshortit tim “u dhemin grave noi here keto gjona, sic na dhemin ne burrave gjona te tjera”.
Shqetësimet e mia vazhdonin për 3 muaj dhe ju, të bazuar tek biopsia, me dhatë antibiotik dhe ne fund doktor Artani me tha se duhet të operohem, të heq masat në gjoks dhe në sqetull, të cilat ishin nga 3 cm dhe të bëjmë një biopsi në vend dhe nëse del malinje do vazhdojmë të ndërhyjmë.
Unë u konsultova me mjekë të tjerë në Shqipëri, një nga te cilët dyshoi direkt tek biopsia, kontaktoi doktor Kadaren dhe i kërkoi të rishikonte biopsine dhe i tha se dyshonte për neoplazi.
Doktor Kadare, i shqetësuar, me thirri në zyrën e tij pas 3-4 orësh nga kërkesa për rishikim (e premte, datë 23 qershor). Ai me tha, i ulur përballë meje shumë i shqetësuar, duke me parë në sy, se ai e ka riparë xhamin e biopsise dhe se ka gabuar me biopsine, nuk e ka vlerësuar siç duhej, duke u nisur nga mosha ime e re, 32 vjeçe më tha “jam njeri dhe nuk jam i pagabueshëm!”. Ai me tha se tashmë se shikon disa karcinoma në masën e hequr nga ju në dhjetor 2017, 6 muaj pas ndërhyrjes. Kam takuar doktoreshën Klaudian të shtunën, në date 24 qershor, në pamundësi për t’ju takuar ju ose doktor Artanin dhe ia kam treguar “leximin” e dytë të biopsise nga Kadare, që patjetër ju ka bere me dije.
Të hënën, në datë 26 qershor 2018, unë jam larguar jashtë Shqipërisë, kam bere biopsi (pa kirurgji) në gjëndrat e reja në gjoks dhe biopsi në gjëndrat në sqetull dhe përgjigja ishte “triple negative breast cancer” e llojit metaplastatic. Skaneri tregoi metastaza në mushkëri dhe ju e dini me mirë se unë se ç’do të thotë kjo. Mjekët këtu ku jam me thanë se absolutisht nuk duhet ndërhyrë, por duhet të filloj kimioterapi dhe me pas mund te operohem. Historia dhe peripecitë e mia vazhdojnë akoma, por nuk po ju lodh me.
Doktor, unë erdha tek ju dhe ju besova jetën time 100%, të ardhmen e familjes sime, të ardhmen e fëmijëve të mi, që janë akoma bebe dhe nuk e di në qofte se kur të rriten do të mund të më mbajnë mend! Si mund të tregoni kaq shumë neglizhence karshi jetës së një njeriu? Doktor Agimi, ju mendoni se unë lija 1001 detyrimet e mia për të ardhur tek ju kot? Ju me trajtuat me një neglizhence shumë të madhe, nuk me morët seriozisht, në Prill që unë u riktheva tek ju me shqetësime. Ju duhet të kishit investiguar, qofte biopsine e parë, qofte një biopsi të re. Ju nuk mund të hidhni fall me jetën time, të cilën jua besova ju. Nuk po flas për gabimin e Kadaresë sepse fjalët janë të tepërta, por JU duhet të më shpëtonit kur unë u riktheva tek ju, ju nuk me morët seriozisht që në Prill, nëse do e bënit mbase do kishte akoma kohë për shpëtimin tim.
Doktor, tani që e morët vesh se unë kisha kancer që në momentin kur ju me operuat dhe kisha kancer sa here ju me thonit nuk ke gjë se biopsia ka dale beninje, pa bere asnjë analize te re, me thoni ju lutem nëse ndjeni sadopak përgjegjësi morale, si njeri në radhë të parë, për fatin tim? Jo për sëmundjen time, sepse atë nuk e shkaktuat ju, por ajo nuk u kap në kohë për shkakun e neglizhencës tuaj, të të gjithëve bashkë. Përse duhet të dyshonte një mjeke që unë e takoja për here të parë, perse duhet të me hapte sytë ajo dhe jo ju, mjeku im që ju besova jetën?!
Në fakt, qëllimi i kësaj letre është që ju të jeni të informuar dhe të vetëdijshëm, se sa shumë keni gabuar me mua dhe çfarë me keni shkaktuar dhe dëshiroj shumë, që kjo përvojë t’ju shërbejë për gratë e tjera që do t’ju besojnë jetën, ashtu siç bëra unë. Ju lutem, merreni seriozisht çdonjërën prej tyre, tani që me e keqja më ndodhi mua. Të paktën të shpëtojnë të tjerat pas meje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë