Propozim i SI

Çfarë po i vret shqiptarët, kanceri apo neglizhenca?

Ditë më parë Gazeta “Si” tregoi rastet e dy  grave të cilat janë përballur me kancerin. Linda nga kanceri në qafën e mitrës dhe Jonilda nga kanceri i gjirit. Sëmundja e tyre ishte në fazë të rëndë për shkak se pacientet kishin shkuar shumë vonë për t’u vizituar. Linda i tha gazetës se kishte rreth 1 vit me gjakderdhje, ndërsa Jonilda tregoi se 6 muaj që ndjente një kokërr në anën e majtë të gjoksit dhe të dyja pacientet kishin shkuar shumë vonë tek mjekët për t’u ekzaminuar.

Çfarë po i vret shqiptarët, kanceri apo neglizhenca?

Rreth 16,9 për qind e vdekje tek shqiptarët shkaktohen nga tumoret. Onkologjia Daniela Bego në Spitalin Amerikan, i tha gazetës “Si” se sëmundjet nga kanceri janë në rritje dhe shkak kryesor është neglizhenca e të prekurve.

Onkologia Daniela Bega, pranë Spitalit Amerikan

Mjekja shpjegon se kjo sëmundje ka një shkallë të lartë vdekshmërie. Diçka që ajo thekson është se pjesa më e madhe e të sëmurëve diagnostikohen vonë, për arsye të ndryshme.

“Duhet të ndërgjegjësohemi më shumë, të paraqitemi tek mjeku në momentin që kemi një problem shëndetësor. Duhet të punojmë me shume për programet depistuese si mamografi, kolonoskopi, pap test e të tjera për të pasur rezultate më të shpejta,” shprehet onkologia Bego.

Sipas statistikave të INSTAT niveli i vdekshmërisë për këtë grup sëmundjesh është 128,9 për 100 mijë banorë dhe ka një rritje prej 1,4 % nga viti 2018 në vitin 2017.  

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga qendra e re shëndetësore në Selenicë, tha se në të gjitha qendrat shëndetësore, testi HPV që përcakton kancerin e qafës së mitrës është falas, duke parandaluar agravimin e kësaj sëmundjeje.

Ndërkohë, mjeku Tritan Shehu në rrjetin social Facebook ka shkruar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka një “Regjistër Themeltar të Tumoreve”, duke krijuar pasoja katastrofale në suksesin e përballjes më kancerin.

“Mortaliteti nga tumoret tek ne, që është mbi dy here me i larte se mesatarja Europiane, vjen se përballja jone me ata mbart edhe te gjitha dështimet e tjera te Sistemit tone Shëndetësor siç është varfëria ekstreme, mjeket ne zhdukje, numri i shtretërve 2,5 here nën mesataren europiane, mungesa e specialiteteve e specialisteve veçanërisht në periferi, etj,”shkruan ai.  

Dita e sotme pati edhe ngjyrime politike, pasi Partia Demokratike herët nisi një marshim për ndërgjegjësimin në luftën e kancerit nën sloganin “E duam jetën, e duam veten”.

Ashtu siç tregojnë edhe statistikat, kanceri është sëmundja e dytë që shkakton më shumë vdekje në vendin tonë. Çdo vit përballemi me mijëra raste të reja, ndërkohë pacientët vazhdojnë të jenë neglizhent për shëndetin e tyre. 

“Në momentin që sëmundja zbulohet herët edhe mjekimi është me i suksesshëm. Është më lehtë të parandalosh sesa të trajtosh,” cilëson mjekja onkologe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë