Njerez

Jonilda ia doli – Ah sikur të ishte ekzaminuar më parë…

"E di që gjërat që nuk dhembin duhen vizituar," tregon Jonilda një nënë e re, 34-vjeçare e cila ka shumë ëndrra për jetën e saj, por edhe për të parë djalin e saj 3 vjeç teksa rritet. Ajo prej një viti është diagnostikuar me kancer gjiri dhe pas një sërë kurash dhe mjekimesh është përpjekur të jetë e fortë për djalin e saj, të cilin e quan "dhuratë e zotit".
Jonilda i thotë Gazetës "Si" se neglizhenca e saj kishte bërë që sëmundja të avanconte në gradën e tretë. Ajo kishe ndjerë një puçërr në krahun e djathtë që në verën e vitit 2018, por vizitën e kishte kryer në janar të 2019-ës, kohë e mjaftueshme për sëmundjen që të avanconte deri në pikën kur mund të rridhte gjoksi. 34-vjeçarja tregon se ishte dashur një vërtetim shëndeti në punë që të kuptonte sëmundjen që kishte. Ajo punonte si estetiste prej 2 vjetësh dhe gjithçka ishte në rregull deri në momentin kur mori vesh për sëmundjen e saj.
"Të thuash më ra tavani në kokë është pak. E vetmja gjë që mendova në moment, ishte 'ja vdiqa, po djalin kush do ma rrisë'. Të gjithë thonë se rritet, por si rritet?" tregon Jonilda me sytë e përlotur, ndërkohë vogëlushin e saj e ka për krahu. Kanceri i gjirit është një sëmundje që përgjithësisht prek më së shumti gratë dhe sipas statistikave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik, që prej viteve ‘80 kjo sëmundje ka sjellë raste të reja në vendin tonë. Vetëm gjatë vitit të kaluar pati rreth 600-650 raste .
Jonilda tregon se i beson mjekësisë në vendin tonë, se “ka mjekë shumë të mirë”, por sipas saj kemi vetëm një problem, i cili është komunikimi.

"Komunikimi me një doktoreshë onkologe tek Poliklinika e Specialiteteve më ka ngelur në mendje. Menjëherë pa shumë shpjegime më tha "nuk je për tek unë, je për tek Onkologjiku". Ndërkohë unë u ndjeva shumë keq sepse isha dhe vetëm. Pas lajmit, të gjithë u shokuam pasi nuk kishim pasur ndonjë person më parë me këtë sëmundje në fisin tonë. Mami vetëm qante gjithë kohës, ndërsa babi dhe bashkëshorti gjatë gjithë kohës rrinin të ngrirë dhe nuk flisni fare saqë shkoja dhe i shkundja duke i thënë “hej kthjellohuni, jam këtu nuk kam ikur” shprehet Jonilda tek sa hera herës kthen sytë nga djali i saj.
Me buzëqeshje dhe me sytë që i shkëlqenin Jonilda, tregon se të gjithë të afërmit e kanë ndihmuar. Ajo ka qëndruar 1 vit pa punë dhe me një rrogë në shtëpi. Një gjendje që e bënte edhe më të vështirë kurimin e saj, por fatmirësisht familjarët dhe të afërmit kanë bërë që ajo të mos shqetësohet për pjesën e ekonomisë, edhe pse tregon që nuk ka paguar asnjë qindarkë për të gjitha mjekimet dhe është shumë e kënaqur nga i gjithë stafi i Onkologjikut në QSUT.
“Sa herë që rrija e mendoja për djalin i thoja bashkëshortit, çfarëdo që të ndodhw se mos mi ngresh zërin djalit, se mos më shqetëson djalin. Gjithçka e lidhja me të,” tregon Jonilda.
Një ndër gjërat më të vështira për të ka qenë, edhe momenti kur fëmija kërkonte të dinte më shumë për gjendjen e saj. Ajo nuk dinte se çfarë shpjegimi t'i jepte fillimisht, kur i ranë flokët dhe i biri e pyeste gjithë kohës pse mbante kapuç në kokë.
"Pas të gjitha analizave dhe biopsisë që tregoi se kanceri ishte femëror, unë nisa trajtimet që ishin kimioterapitë. Pas kimioterapisë së tretë filluan të më binin flokët dhe unë i qetha ndërkohë që djali më pyeste 'mami pse mban kapuç'. Gjithë kohës i thosha që parukierja m’i kishte prerë shumë keq flokët.
Jonilda tregon se kimioterapitë e para vazhdonin katër ditë, më pas ajo nuk mendonte fare për sëmundjen. Jetonte një jetë normale me bashkëshortin dhe djalin.
“Ndërkohë unë vazhdoja kimioterapitë dhe shkoja tek vjehrra në Vlorë. Ajo ka qenë një ndihmë edhe më e madhe për mua. Pasi qetësohesha dy orë më gatuante (aq sa mund të haja në atë kohë) dhe më thoshte që dil shëtitje, vetëm ec. Për djalin dhe shtëpinë kujdesej ajo gjatë gjithë kohës. Më bënte ushqimin që më duhej, më jepte gjithçka me orar, njëjtë si më kishin këshilluar doktorët,"shprehet Jonilda, ndërkohë që djali e shikon teksa flet dhe një moment e ndërpret, për t’i thënë “krahu i mamit do bëhet mirë për mua, se unë jam dhurata e zotit për mamin”.
Historia e saj vazhdoi më pas me operacionin, të cilin e ka kryer në 20 gusht të vitit 2019 dhe e kishte kaluar me sukses, për të hyrë në fazën tjetër të trajtimeve.
“Pas operacionit i thashë babit, motrës dhe doktorit që po ëndërroja sikur isha në një vend të bukur me lule, ndërsa doktori me shaka më tha “sa mirë ne punojmë e lodhemi këtu, ndërsa t’i je me pushime,” tregon Jonilda duke qeshur.
Djali i saj nuk e kishte kuptuar mirë se çfarë sëmundje kishte Jonilda, por gjithnjë kërkonte shpjegime për gjërat që shikonte. Jonilda tregon se djali kishte filluar të stresohej në periudhën kur ajo kishte kryer operacionin, pasi kishte ndjekur për një kohë të gjatë tek gjyshja.
“Një ditë kur ishim në shtëpi dhe po ndërrohesha, ai ndaloi një moment dhe po më shikonte me habi. Fillimisht unë nuk e vura re, deri kur më pyeti “po ku është pjesa tjetër e jotja (duke e pasur fjalën gjoksin)” dhe unë u preka, por e mora pranë vetes dhe i thashë “njëra anë e gjoksit të mamit u sëmur dhe gjërat e sëmura ne i heqim nuk i mbajmë”. Më pa në sy dhe më përqafoi pastaj,” . Në 2 nëntor të vitit të kaluar ajo ka mbaruar rrezet dhe do të bëjë një vizitë gjatë muajve të ardhshëm për të parë gjendjen e saj, ndërkohë që vazhdon të marrë mjekime. Medikamenti që ajo merr është një herë në 21 ditë dhe quhet “receptina”.
Jonilda tregon se duke qenë në proces mjekimi shkon shpesh herë tek spitali dhe me optimizmin që e ka mbajtur në këmbë ajo bën shaka me mjekët duke iu thënë “po marr një krevat dhe po rri këtu , ja ku jam e i mbarojmë të gjitha”.
Beteja e saj me sëmundjen e shekullit ende nuk ka mbaruar, por ajo tregon se është shumë e fortë, për t'u përballur me çdo sfidë. Dhe këtë forcë e gjen pikërisht tek sytë e vogëlushit të saj.
“Unë tashmë ndjehem shumë mirë, saqë isha gati të filloja punë por që doktorët më thanë prit edhe pak. Ti në rregull je të fillosh por nuk ke një punë që të favorizon. Ato që kam kaluar në fillim ishin shumë të vështira. Ikën i kalova, ashtu si qaja ashtu edhe qeshja. Gjithmonë mendoja se përderisa zoti ta ka dhënë një gjë, ta ka dhënë për të parë diçka tjetër, prandaj them që nuk duhet të shohim vetëm të keqen po dhe anën pozitive të gjërave. Motiv që kam për t’ia dalë është djali, por edhe dashuria për jetën dhe për veten. Nuk e mendoj dot veten të futur në një arkë. Kjo është tmerri im. Do kapem me thonj ndaj gjithçkaje për të mbijetuar. Kjo është forca më e madhe për çdo njeri,” tregon Jonilda e cila e ka kuptuar se “ah sikur t’i kishte bërë kontrollet periodike më parë…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë