Politike

Katër arritjet e Samitit, mendësia ballkanike si pengesë, dhe Varhelyi për Greqinë: S’mund të shkosh mirë me fqinjin kur e bllokon     

Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi përcollën përfundimet e Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës. Në qendër të saj ishte ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe  koha se kur ato mund të jenë gati për tu bërë pjesë e BE-së.

Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Vahelyi, i cili është shfaqur pozitiv në çdo dalje për mediat lidhur me arritjet e Shqipërisë, u ndje në siklet kur u pyet nga media shqiptare që përpos optimizmit të tij në dhjetor Shqipërisë nuk iu hap dera për grup-kapitullin e parë në rrugën e integrimit.

“...Doni të flas për Shqipërinë në mënyrë negative?! Refuzoj ta bëj. Hapat tuaj e kanë treguar çfarë keni arritur. Mos harroni ku ishim. Nuk mendoj që në Bruksel ka njerëz që nuk bien dakord për arritjet. Jemi dakordësuar që Shqipëri është gati e BE do të duhet ta marrë këtë vendim. E sado teknik që është nuk e kuptoj pse nuk e marrim dot ne këtë vendim. Nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të mira me fqinjin nëse e bllokon për të ecur përpara. Por gjithsesi ne po përpiqemi të ndihmojmë e  shpresoj që muajin tjetër të kemi konferencën ndërqeveritare në mënyrë që të hapim negociatat e vërteta, sepse ne dëshirojmë që të hapim negociatat me grup kapitullin e parë", tha Varhelyi.

Edi Rama gjithashtu u shfaq entuziast.

“Ajo që ka të bëjë me thelbin jo me procedurën ne vazhdojmë të punojmë çdo ditë me komisionin. Sipas pikëpamjes sonë është e rëndësishme pasi po bëjmë punën. Do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Kemi nisur dhe jemi shumë të kënaqur me modelin e AI për përkthimin, i cili është shumë bindës. Kjo do të na bëjë të fitojmë shumë kohë. Kur procesi të hyjë në fazën tjetër do të kemi përparuar shumë. Në planin e rritjes ka tregues të qartë. Më së shumti shteti i së drejtës, kemi ecur përpara sa i takon shtetit të së drejtës. Kjo na dha shumë avantazh. Mos harroni ne ishim të bllokuar dhe komisioni ka luftuar shumë me shtete anëtare për të nisur negociata, kemi humbur kohë. Ashtu siç tregon procesi i kontrollit kemi punuar ndërkohë. Kemi punuar, nuk jemi në momentin përfundimtar. Anëtarësimi do të vijë shpresoj uroj pas 5 apo pak më shumë viteve. Dhe pastaj mund të shqetësohemi se dikush na shqetëson. Për ne është e rëndësishme që të funksionojë këtu” tha Rama.

Çfarë u arrit në Samit?

“Sot në patëm marrëveshje për katër fusha ku duhet të ketë rezultate. Së pari, SEPA që do të thotë një rishikim tërësor i aspekteve rregullatorë. Vendet po përgatiten për këtë gjë. Duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla që aplikojnë në vendet e origjinës, sfida është sa shpejt do mund të aplikohen në terren. Ka pasur dakordësi që kjo gjë do arrihet sivjet. E dyta ka pasur të bëjë me korsitë e gjelbra, të heqim kohën e pritjes në pikat kufitare. Do rregullohen procedurat doganore që të përshpejtohen kalimet në kufi në të gjithë rajonin. Ta shtrijmë në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe duhet të përfundojë në fund të këtij viti dhe ul kostot për bizneset.

E treta ka të bëjë me punën kërkimore shkencore, do të thotë të sjellim brezin tjetër të industrive të ndryshme në rajon, novacioni, kërkimi shkencor, do kenë nevojë për një qendër ku të jenë këto industri, një bërthamë dhe kjo të krijohet në Ballkan, sektori dixhital, farmaceutik.

E fundit rrjeti falas i interneti në gjithë Ballkanin Perëndimor, të gjithë të kenë mundësi të futen në internet. I kemi fondet për këtë gjë, duhet ti pajisim bashkitë me të gjitha mjetet që kjo gjë të bëhet realitet këtë vit”, tha Varhelyi.

Ndërsa Kryeministri Rama sqaron se pengesa me e madhe e zbatimit të Planit të rritjes është vetë mendësia mes vendeve të Ballkanit.

Ajo që në fakt është theksuar që në muajin janar në samitin e zhvilluar në Maqedoni ku u nënvizua se  liderët janë paralajmëruar që nuk do të mund t'i vendosin njëri-tjetrit veto përgjatë procesit, dhe nëse ka tendenca të tilla, do të ndëshkohen.

“Pengesa e vetme më e madhe së cilës mund ti trembemi është mendësia midis vendeve të rajonit sepse sic e thashë më parë ky plan i ri i rritjes sa i takon asaj që duhet të bëjmë në planin rajonal është saktësisht ajo për të cilën kemi rënë dakord 10 vjet më parë ku nisëm procesin e Berlinit është saktësisht ajo që jemi përpjekur  të cojmë përpara dhe arsyeja se pse 10 vjet nuk arritëm të përparonim aq sa do të donim ishte mendësia dhe ndërhyrja e cështjeve dhe retorikës së politikave të brendshme kundër interesave tona”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë