Politike

6 mld eurot për Ballkanin dhe kushti i vënë nga BE: Kush pengon tjetrin ndëshkohet

Gjashtë miliardë euro është fondi që Bashkimi Evropian ka planifikuar të ndajë për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Plani, pak a shumë, thotë kështu: Kush i kryen reformat e parapara, i merr fondet. Ata që nuk punojnë, mbeten prapa.

Për më shumë, asnjë vend nuk do të mund ta bllokojë tjetrin në këtë proces.

Ajo që në fakt është theksuar që në muajin janar në samitin e zhvilluar në Maqedoni ku u nënvizua se  liderët janë paralajmëruar që nuk do të mund t'i vendosin njëri-tjetrit veto përgjatë procesit, dhe nëse ka tendenca të tilla, do të ndëshkohen.

Ndër synimet kryesore të të ashtuquajturit “Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” është që të forcohet një treg i përbashkët rajonal, i integruar gradualisht me atë të BE-së.

Si do të funksionojë Plani?

Ai është prezantuar në nëntor të vitit 2023, dhe parasheh që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët tjerë të jepen në formën e kredive të volitshme.

Nga secili vend është paraparë përgatitja e një agjende reformuese, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, para vlerësimit dhe miratimit të saj nga Komisioni Evropian.

Reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit janë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.

Pritjet janë që Parlamenti Evropian t’i finalizojë të gjitha procedurat deri në prillin e sivjetmë, për të mundësuar lëshimin e fondeve sa më shpejt.

Pagesat parashihen të bëhen dy herë në vit, varësisht prej rezultateve në përmbushjen e kritereve.

BE-ja ka thënë se fondet, në parim, do të ndahen varësisht prej Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të një vendi. Por, nëse një vend nuk i kryen reformat pas 1-2 vjetëve, atëherë shuma u shpërndahet vendeve të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë