Politike

Antishpifja dhe “Xhaferllari”, ekspertët e Venecias me 2 delegacione në Tiranë

Ekspertët e komisionit të Venecias mbërrijnë në Shqipëri për t’u njohur nga  afër mbi qëndrimet e ndryshme që ka politika shqiptare për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese dhe për paketën Antishpifje. Mësohet do të ketë dy delegacione të ndryshme  ku do të zhvillojnë takime më 10-11 shkurt dhe me 13-14 shkurt. Sipas agjendës paraprake mësohet se ekspertët do të zhvillojnë takime me autoritetet më të larta të vendit. Të hënën delegacioni do të pritet në takim nga kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi në orën 9:15 në ambientet e Parlamentit. Të martën më 11 shkurt delegacioni do të pritet nga Presidenti Ilir Meta në ambientet e presidencës në orën 10:00. Më pas ata do të kenë një takim me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca në orën 15:15.Në agjendën e takimeve do të jenë edhe përfaqësuesit e mazhorancës dhe të opozitës parlamentare dhe asaj jashtë parlamentare.

Njoftimi i komisionit të Venecias për vizitën në Tiranë. Gazeta "Si" 9 shkurt 2020

Për paketën Antishpifje asnjë nga institucionet shqiptare nuk i është drejtuar Venecias, por janë institucionet ndërkombëtare që kanë kërkuar të njihen me opinionin e specializua juridik nëse kjo nismë bie ndesh me parimet dhe mbrojtjen e medias së lirë. Paketa Antishpifje ngre mekanizma të posaçme kontrolli nga Autoriteti i Medias Audovizive, institucion që kontrollohet nga qeveria, duke pasur të drejtën e vendosjes së gjobave nga media online. Për këtë Këshilli i Europës dhe Zyra e OSBE-së për Lirinë e Medias, dy organizmat ndërkombëtare, i janë drejtuar Venecias për të dhënë një mendim të specializuar. Pas këtij misioni faktmbledhës  ku parashikohen takimet edhe me grupet e interesit dhe shoqatat e medias në Shqipëri, Venecia pritet të nxjerrë raportin më 20-21 mars.

Mazhoranca pas kritikave të shumta të ndërkombëtarëve u tërhoq nga rrëzimi i dekretit të presidentit për ligjin Antishpifje, për të marrë një vendim final pas raportit të komisionit të Venecias.

Njoftimi për takimet për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Gazeta "Si" 9 shkurt 2020

Një tjetër çështje është edhe ajo e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, për të cilën PS-ja po akuzon presidentin Ilir Meta se ka shkelur Kushtetutën duke dekretuar Marsida Xhaferllarin. PS pas përplasjeve për emërimet e përfshiu aktin e presidentit Meta si shtesë e hetimit të komisionit hetimor parlamentar. Venecias gjithashtu i është drejtuar edhe presidenti, i cili kërkon të dihet nga ekspertët ndërkombëtarë për mënyrën se si Kuvendi veproi për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës, nëse ishte në përputhje me procedurat kushtetuese e ligjore. Nëse Kuvendi e akuzon Metën se nuk nxori dekretin brenda afatit 30 ditor, Presidenti akuzon këtë institucion se i zgjodhi dy anëtarët pa pasur kandidatura alternative, ku të njëjtën persona konkurronin për dy vende vakante.

Siç bëhet e ditur edhe në faqen zyrtare të Venecias, ekspertët pritet të publikojnë raportin më 21 mars për çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë