Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan para zgjedhjeve, ekspertët: Viktima kishte në krah një qitës

Gazeta Si - Rindërtimi i skenës së krimit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ka dalë në përfundimin se pranë viktimës ka pasur persona që kanë qëlluar gjatë përplasjes me armë me ish-efektivin Arbër Paplekaj.

Ky përfundim është arritur nga një ekspert i policisë dhe një i pavarur, të cilët deklaruan në Gjykatën e Apelit, se personi që ka qëlluar ka qenë jo më larg se 1 metër.

Sipas ekspertëve në trupin e viktimës Xhuvani janë gjetur faktorë plotësues që mund të jenë kontaminuar nga një qitës pranë tij.

Gjurmët e barutit, sipas ekspertëve Arjan Hako, Shpëtim Budo dhe Artan Rexhepi u konstatuan në rroba, pasi Xhuvani nuk dispononte armë.

Sipas ekspertëve, viktima Pjerin Xhuvani mbërriti në vendngjarje i shoqëruar nga disa persona dhe dy grupimet u konfrontuan me njëri-tjetrin në prani të policisë së Elbasanit.

Ekspertët thanë në sallën e gjyqit se referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, konflikti i armatosur filloi nga pozicioni ku ndodhej viktima, dhe reagimi i Paplekajt besohet se erdhi pasi identifikoi persona duke qëlluar.

Gjatë debateve të zhvilluara në sallën e gjyqit, Paplekaj pyeti ekspertët se çfarë pozicioni kishte viktima kur u qëllua, statik apo në lëvizje. Tre ekspertët u shprehën se ka pasur pozicion lëvizës me drejtim për para.

Pasi u dëgjuan ekspertët dhe pyetjet e Paplekajt, togat e zeza të Apelit mbyllën shqyrtimin gjyqësor, duke i dhënë kohë për konkluzionet përfundimtare palëve, avokatëve dhe prokurorit, duke caktuar datën 24 maj për seancën e radhës.

Të pandehur për ngjarjen e ndodhur më 21 prill të vitit 2021, janë dhe dy ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla e Albert Nushi si dhe 6 efektivë të forcave “Shqiponja”.

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste.

Autori, Arbër Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukturë e armatosur për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD.

Pas një sherri verbal, pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, nisi përplasja me armë.

Veç viktimës Xhuvani, të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun.

Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë