Drejtësia

Dyshohet se shkaktoi vetëvrasjen e gruas dhe 3 fëmijëve të tij, burg për Erdgys Arrazin: Jam në gjendje të rënduar emocionale

Gazeta Si - Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg 31-vjeçarin Erdgys Arrazi, i cili akuzohet se shtyu drejt vetëvrasjes bashkëshorten e tij, Alma Arrazi, e cila u vetëmbyt në lumin e Bunës së bashku me tre fëmijët e çiftit.

Arrazi, është paraqitur në gjykatën e Shkodrës, në kushte të rënduara psikologjike dhe nuk ka folur para trupës gjyqësore. "Në këto momente nuk mund të flas, sepse nuk jam në gjendje emocionale. Jam dakord me deklarimet e avokatit dhe mund të flas në një moment më të vonë”, - ka thënë ai.

Pala mbrojtëse ka kërkuar në gjykatë ndalimin e paligjshëm, pasi ky shtetas nuk paraqet rrezikshmëri dhe nuk përbën asnjë të dhënë për t'u larguar nga vendi.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës ka paraqitur në gjykatë dokumentin mjekoligjor ku Alma Arrazi kishte probleme psikologjike.

Kërkesa e palës mbrojtëse nuk është marrë në konsideratë nga gjykata, e cila ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria ka depozituar dosjen me akuzën për shkaktim të vetëvrasjes.

Ai është shfaqur me një kapuç në kokë kur ka zbritur nga furgoni i policisë që e shoqëroi në Gjykatën e Shkodrës, pasi vendosi të mos ekspozohet as për median. Kjo është dalja e tij e parë publike që pas zhdukjes së familjes së tij.

Prokuroria e Shkodrës, në një deklaratë për shtyp të hënën, deklaroi se Alma Arrazi është takuar me kunatën e saj në një lokal në lagjen “Iliria” në Shkodër, pasditen e datës 2 maj.

Më pas, sipas dëshmisë se kunatës, rreth orës 20.10, gruaja ka dalë nga lokali dhe ka marrë rrugën drejt Urës së Bunës.

Sipas prokurorisë, 39 vjeçarja ka ndërmarrë aktin ekstrem së bashku me fëmijët për shkak të dhunës së vazhdueshme psikologjike, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore nga ana e partnerit të saj Ergys Arrazi, duke prekur rëndë dinjitetin e saj.

Më përpara në polici, pasi është marrë në pyetje, Arrazi ka mohuar se ka dhunuar bashkëshorten e tij apo 3 fëmijët e mitur.

Ai ka deklaruar se Alma Arrazi merrte medikante për shkak të depresionit dhe stresit herë pas here.

Familjarë të 31-vjeçarit kanë deklaruar se Erdgys Arrazi nuk është person i dhunshëm dhe nuk i ka keqtrajtuar bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Erdgysi është arrestuar i akuzuar so "shkaktar i vetëvrasjes" së gruas së tij Alma Arrazi dhe tre fëmijëve të tij, Erigea, 9 vjeç që u gjet dy ditë më parë, Gresi 6 vjeç që u gjet ditën e djeshme dhe djali i vogël, Arditi 3 vjeç, i cili u gjet sot.

Me gjetjen e trupit të Alma Arrazit sot, operacioni i forcave RENEA dhe ushtrisë është përmbyllur në ujërat e lumit Buna.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë