Politike

Kushtetuesja dhe Parlamenti, Meta ka 37 pyetje për Komisionin e Venecias

Në një material prej 46 faqes presidenti Ilir Meta i është drejtuar komisionit të Venecias për të dhënë një opinion të plotë mbi kushtetueshmërinë e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti. Letra përmban titullin, “Kërkohet dhënia e një opinioni mbi procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcillet informacion i zgjeruar mbi veprimtarinë e Presidentit të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED)”. Në të presidenti bën një ekspoze të gjatë mbi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës, duke fajësuar kështu edhe arsyet se pse kreu i shtetit pretendon se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shkelur Kushtetutën, duke tentuar në marrjen e kompetencave. Në letër Meta thekson se sipas këtyre dispozita të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, nuk mund të emërojë dy gjyqtarë njëherazi, apo dy gjyqtarë njëri pas tjetrit, por vetëm anëtarin e parë, ndërkohë që anëtari i dytë i Gjykatës Kushtetuese duhet të emërohet nga Kuvendi dhe i treti nga Gjykata e Lartë.

“Kjo për shkakun e thjeshtë ligjor, se e drejta e secilit prej institucioneve për emërimin/zgjedhjen, duhet të shterohet vërtet brenda një afati 30-ditor, por nga ana tjetër, kjo e drejtë mund të ushtrohet vetëm në kushtet kur nuk ka një ndalim kushtetues që e pengon atë. Kuvendi nuk shfaqi asnjë bashkëpunim, por i shkoi deri në fund skenarit të parapërgatitur
për t’u shprehur në kufi të afatit 30-ditor, dhe për ta vendosur Presidentin në kushtet e
pamundësisë kushtetuese për të emëruar anëtarin e tij të Gjykatës Kushtetuese, sipas
parashikimit të radhës kushtetuese. Kushtet e ndalimit, pasi radha e emërimit ishte e Kuvendit”, shkruan Meta në këtë letër. Presidenti thekson se nëse presidenti nuk do të kishte respektuar radhën kjo shkelje e Kushtetutës do të legjitimonte më pas mazhorancën t’i hapte rrugë mazhorancës që ta akuzonte si cenim i të drejtës së Kuvendit për ta zgjedhur.

“Kuvendi i Shqipërisë, në kundërshtim me çdo normë kushtetuese dhe jashtë kompetencave të tij, e konsideroi apriori të zgjedhur zonjën Arta Vorpsi në vakancën që i përket Presidentit të
Republikës, edhe pse Kuvendi në praktikën e tij kishte administruar dhe ishte njohur me aktin
administrativ nr.3535/1 prot, datë 05.11.2019 të Presidentit për pezullimin e procesit. Ky veprim i Kuvendit, përbën shkelje të Kushtetutës, me qëllim rrëmbimin e një anëtari të
Gjykatës Kushtetuese, që i takonte Presidentit të Republikës. Kuvendi në seancën plenare të datës 11 nëntor 2019, ka vijuar procesin e votimit vetëm me një kandidate. Me vendim nr. 133, datë 11.11.2019, zonja Elsa Toska është zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si e vetmja kandidate e mbetur në garë për vakancën e shpallur nga Kuvendi për aplikim në datën 12.2.2018. Ky emërim është kryer në kundërshtim me nenin 125 të Kushtetutës, i cili dikton se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës. Ndërsa emërimi i një kandidati të vetëm, nuk nënkupton asesi proces përzgjedhës në kuptim të kërkesave të Kushtetutës”, thuhet në letrën e Metës. Në Kushtetutë, ndryshe nga Kuvendi, sipas kreut të shtetit, për Presidentin e Republikës nuk ka asnjë afat të përcaktuar të detyrueshëm për t’u shprehur. Për presidentin, mazhoranca meqenëse në opinionin e parë të Venecias mbi dekretin e anulimit të zgjedhjeve nuk pati ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, mazhoranca po drejtohet sërish për të gjetur një mundësi për të “argumentuar” shkarkimin e tij.

“Përse kërkoi Venecia përcaktimin në Kushtetutë dhe ligj të radhës së emërimeve? Mosrespektimi i radhës a përbën shkelje të germës së Kushtetutës? Cila dispozitë kushtetuese parashikon që një institucion të emërojë disa gjyqtarë kushtetues njëkohësisht?”, janë disa nga 37 pyetje e presidentit.

(Lexoni letrën e plotë të Presidentit)

Parlamenti i është drejtuar Venecias me anë të gjashtë pyetjeve për vërtetuar sipas tyre nëse nëse Meta shkeli Kushtetutën ose për emërimin e Marsisa Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj kërkese të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, komisioni i Venecias ka pranuar kërkesën dhe ka bërë të ditur se më 13-14 shkurt, ekipi i ekspertëve do të vizitojë Tiranën, duke zhvilluar takime me presidentin Meta, me liderët politikë, si dhe me anëtarët e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit.
Për mazhorancën, presidenti, ka shkelur Kushtetutën me nxjerrjen e dekretit për Xhaferllarin, pasi duhej të ishte Arta Vorpsi, kandidatja e renditur e para në listën e paraqitur nga ana e KED-së. Mos nxjerrja e dekretit brenda një afatit 30 ditor për mazhorancën sjell që në mënyrë automatike caktimin si anëtare të Vorpsit. Në mars pritet të dalë edhe opinioni i Venecias për çështjen e emërimit të anëtarëve të Kushtetueses.

 

Më Shumë