Dosje

“Telefonin nuk e dua Iphone!”. Përgjimet fundosën Rovena Vodën për ryshfetin e punësimit

Ish-zv ministrja e Brendshme Rovena Voda, i takoi dy gratë, Majlinda Hasani dhe Florida Beun në ministri gjatë kohës që njëra prej tyre interesohej për një vend pune.

Prokurori i çështjes, lexoi para Gjykatës së Posaçme rolin dhe përgjimet, në të cilat dy të interesuarat flasin për pazaret dhe faktin që zyrtarja kishte kërkuar dy, duke nënkuptuar dy mijë eurot.

Takimi u mbajt në datën 13 shkurt 2020, nga ku dyshohet se Voda ka deklaruar se "shefe nuk e fut dot direkt, por do ta rregullonte si specialiste".

Sipas bisedave midis dy grave, ish-zv ministrja ka shtuar se ka telefonuar një person që punon në administratën publike, i cili kishte informacion se ku kishte vende pune të lira në ministri. Një javë më pas, Beu dhe Hasani e kanë ritakuar zyrtaren e lartë dhe kanë biseduar për punësimin.

Bisedat e përgjuara tregojnë se gjatë këtij takimi, Florida Beu i ka dhënë Vodës shumën prej një mijë euro.

Përgjimet tregojnë se mbas takimit, zonjusha e interesuar i thotë në telefon mikes Hasani: “Më mbeti mendja në mos donte më shumë, që të paktën të na gjejë një vend tamam”. Bisedat tregojnë se zëvendës-ministrja e ka marrë shumën që ishte sistemuar dhe vendosur në një zarf.

Gjithashtu, sipas dosjes që Gazetasi.al, disponon, dy mikeshat Hasani dhe Beu, në një moment pohojnë se këtë veprim duhet ta kishin kryer më herët, pasi “leku e hedh ujin përpjetë” dhe ndërkohë Florida shton se “ajo paska dashur dy dhe jo një”.

Për këtë arsye, përgjimet tregojnë se në datën 27 shkurt 2020, Beu flet me mikeshën Hasani me profesion avokate dhe i thotë që të bien dakord, pasi “nuk do ta lemë me kaq, do t’i japim dhe një aparat telefoni”.

Takimi i tretë mes të treja grave, mbahet në datën 28 shkurt 2020 dhe kjo konfirmohet nga proces-verbali për takimin e zhvilluar nga ora 15.50, deri në oën 17.19 minuta.

Përgjimet tregojnë se si Floria Beu komunikon në telefon me të ëmën, ku e njofton se me lekët që i kishte sjellë Gerti, do i blinte ndonjë gjë Rovenës, që të paktën të ndiejë një çikë përgjegjësi, thotë ajo.

E ëma i përgjigjet: “Inshallah do Zoti, dritë ja bëftë Zoti dhe asaj”.

E ëma e pyet vajzën se çfarë pune bën ajo dhe Florida i përgjgjet: “Zëvendës-ministre”.  

E reja i rrëfen, se të hysh në ministri, është diçka e madhe, ndërkohë që përmend një emër tjetër, që quhet Albana dhe që sipas saj, Albana është shefja, duke paralajmëruar: “Tani i duhet dhënë ndonjë lek Albanës”.

Majlinda dhe Florida, flasin në telefon, kur kujtojnë takimet dhe thonë: “Mos harro orën dy”. Florida më pas vijon: “Ajo më tha shkruaj nesër, Rovi, mos harro”.

E reja pranon gjatë bisedave me të ëmën, se kishte lënë një mijë euro, ndërkohë që citojnë se ish-zv/ministrja kishte thënë: “Telefonin e dua”, tha ajo, “nuk e dua Iphone, dua këtë...”.

Ato premtojnë në një çast, “në rregull i thashë unë, neve ty duam të ti japim, edhe arkën e peshkut do ia çojmë”. Bisedat ekspozojnë faktin që ish-zv.ministrjha i kishte shkruar Majlinda Hasanit.

Majlinda: A e more vesh që më shkruajti Rovena mu?

Florida: E pra, atë mesazhin që më çove

Gratë diskutojnë se si do t’i sajonin paratë, kur Florida e pyet mikeshën: “Ej, po sikur t’i sajojmë ato lekët, se unë kam këtu gjashqind dollarë, i thyejmë e i bëjmë lekë shqiptare”.

Majlinda: Hë!

Florida: Shikojmë njëherë, sa bën ai Samsung-u (telefoni) që tha kjo, se aq janë, tetëqind, nëntëqind, pse të marr kredi unë, se me kismet në fundjavë Gerti inshallah më sjell nai mijëshe, t’i heq vetë e unë t’ia jap...”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë