Drejtësia

Korrupsioni, Apeli lë në fuqi dënimin për ish zv/ministren e Brendshme

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit, vendosi këtë të mërkurë të lerë në fuqi dënimin me 1 vit e 3 muaj burg ish-zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Në prill 2022, ajo u dënua nga Gjykata e Posaçme së bashku dy të pandehurat e tjera, Florida Beu dhe Majlinda Hasani. Apeli konfirmoi dënimin edhe për këto dy të fundit.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar shkoi në 10 muaj burg, megjithatë 3 të hetuarat kanë qëndruar që prej korrikut të 2021, në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe konvertimi i ditëve çoi në shmangien e qëndrimit në qeli.

Voda u arrestua pas disa përgjimeve telefonike dhe ambientale ku rezultoi se kishte pranuar disa dhurata në formën e një telefoni, një arke me peshk dhe 1 mijë euro, për të ndikuar në sigurimin e një vendi pune për Florida Beun.

Në përgjime Beu dëgjohej duke biseduar me Majlinda Hasanin për të gjithë procesin e dhënies së dhuratave për ish-zëvendësministren.

Vetë Voda i ka mohuar akuzat e Prokurorisë dhe pretendoi para gjykatës pafajësi, duke argumentuar se nuk provohej asnjë pretendim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë