Drejtësia

Rovena Voda zyrtarisht e pandehur, pranohet gjykimi i shkurtuar për ish-zv/ministren

Ish-zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda ka kërkuar pushim të hetimeve në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por togat e zeza kaluan për gjykim dosjen ndaj saj, duke pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, nga e cila ajo do të përfitojë ulje me 1/3 e dënimit përfundimtar.

Voda akuzohet për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Së bashku me të, zyrtarisht të pandehuara janë marrë avokatja Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Ato u fundosën nga përgjimet dhe komunikimet që kishin mes tyre. Në dosjen e prokurorisë, thuhet se hetimi ka nisur që në vitin 2019, për një tjetër procedim penal në rrjetën e përgjimeve të SPAK, ku ra fillimisht avokatja Hasani.

Në dokumente nënvizohet se Voda është angazhuar për të punësuar Florinda Beun. Organi i akuzës thekson se pavarësisht se Beu ka aplikuar në 11 pozicione pune, ajo nuk ka kaluar as në fazën e dytë, duke mos e përfituar vendin e punës.

Në përgjimet e organit të akuzës, thuhet se në një nga bisedat, Florida Beu i thotë avokates Hasani që i kishte mbetur mendja aty se mos ndoshta duhet t’i jepnin më shumë, që ta emëronte në një pozicion të mirë.

SPAK, thekson se ato i kanë dhënë Vodës shumën prej 1 mijë eurosh dhe ky moment është filmuar, ndonëse shuma ndodhej në një zarf. Rovena Voda, Majlinda Hasani dhe Florinda Beu akuzohen për “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë