Drejtësia

Mori një arkë me peshk dhe 1 mijë euro, ish-zëvendësministrja e Brendshme dënohet me 10 muaj burg

Gazeta Si - Ish-zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda është dënuar me 10 muaj me akuzën “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata e Posaçme vendosi ta dënojë këtë të enjte me 1 vit e 3 muaj burg Vodën dhe dy të pandehurat e tjera për këtë çështje, Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Por për shkak se ish-zëvendësministrja ka pranuar gjykim të shkurtuar, dënimi i ulet në 10 muaj burg.

Ato janë gjykuar nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe nuk do të shkojnë në qeli deri në marrjen e formës së prerë të vendimit të sotëm të GJKKO-së.

Sipas dosjes hetimore, në cilësinë e zv.ministres së Brendshme, Voda ka përfituar 1 mijë euro, një aparat telefonik celular dhe një arkë peshk nga dy persona, me qëllim punësimin e Florida Beut si specialiste në ministri.

Ish-numri dy i Ministrisë së Brendshme ra në gjurmët e SPAK, krejt rastësisht. Hetuesit kanë qenë duke hetuar një tjetër dosje dhe kanë vënë në pergjim disa numra telefoni mes tyre edhe te avokates Majlinda Hasani dhe aty është zbuluar edhe marrja e rryshfetit nga ana e zv ministres Rovena Voda.

Në dokumente nënvizohet se Voda është angazhuar për të punësuar Florinda Beun.

Organi i akuzës theksoi se pavarësisht se Beu ka aplikuar në 11 pozicione pune, ajo nuk ka kaluar as në fazën e dytë, duke mos e përfituar vendin e punës.

Në përgjimet e organit të akuzës, thuhet se në një nga bisedat, Florida Beu i thotë avokates Hasani që i kishte mbetur mendja aty, se mos ndoshta duhet t’i jepnin më shumë, që ta emëronte në një pozicion të mirë.

SPAK, thekson se ato i kanë dhënë Vodës shumën prej 1 mijë eurosh dhe ky moment është filmuar, ndonëse shuma ndodhej në një zarf.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë