Drejtësia

Akuzohet se mori ryshfet për një vend pune, shkon për gjykim dosja ndaj ish-zv.ministres Rovena Voda

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen për ish-zv/ministren e Brendshme, Rovenda Voda, e cila akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga përgjimet rezultoi se Rovena Voda ka pranuar nga avokatja Florida Beu 2 mijë euro, një telefon dhe një arkë me peshk për punësimin e saj në Ministrinë e Brendshme, por që në fund procedura mbeti në mes.

Sipas dosjes hetimore, Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv.ministren.

Mes tyre zhvillohen disa biseda në lidhje me temën në fjalë, të cilat ndodhen në dosjen e SPAK. Edhe pse Beu aplikoi në disa vende në ministri, nuk arriti që të fitonte.

Ish-zyrtarja e lartë e Ministrisë së Brendshme u zbulua nga SPAK gjatë hetimit për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi.

SPAK thotë se ka mbledhur prova se Voda ka pranuar dhe marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

“Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast, janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”, - thuhet në njoftimin e SPAK për mediat.  

Voda ndodhet në “arrest shtëpie” që prej korrikut të vitit të shkuar.

Ndërsa, të pandehurat, Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë