Drejtësia

Ryshfeti për punësimin, ish-zv/ministrja e Brendshme kërkon heqjen e “arrestit në shtëpi”

Ish-zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, ka ankimuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” me argumentimin se nuk ka asnjë rrezik për të prishur provat apo për t’u larguar nga vendi.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, vendosi pak ditë më parë këtë masë sigurie me akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Voda pretendon nëpërmjet avokatëve të saj, se nuk ka asnjë kusht ligjor për të qenë në masë sigurie, pasi s’ka asnjë rrezik largimi apo prishje të provave.

Nga hetimet dhe përgjimet e SPAK-ut, rezultoi se Rovena Voda kishte marrë një mijë euro, një telefon dhe një arkë me peshk nga Florida Beu dhe Majlinda Hasani, duke u premtuar në këmbim një vend pune në administratën shtetërore. Sipas dosjes hetimore, Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv/ministren.

Mes tyre zhvillohen disa biseda për punësimin e Beut, e cila edhe pse aplikoi në disa vende në ministri, nuk arriti që të fitonte. Ish-zyrtarja e lartë e Ministrisë së Brendshme u zbulua nga SPAK gjatë hetimit për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi. SPAK disponon video dhe përgjime që verifikojnë ryshfetin e marrë nga ana e Vodës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë