Njerez

Taulant Stërmasi: Ju tregoj ringjalljen e atletikës dhe çfarë do të ndodhë me Luiza Gegën dhe Izmir Smajlajn

Nga Gazeta Si - Pas më shumë se 10 vitesh pas atletes së tij kryesore Luiza Gega, Taulant Stërmasi u zgjodh më 19 maj president i Federatës së Atletikës, duke fituar një post të lënë vakant pas skandalit me mashtrimin e rezultatit të garës së Izmir Smajlajt, nga ish-presidenti i FSHA-së dhe njëkohësisht trajneri i atletit Shkodran, Gjergj Ruli. Pas më shumë se dy javësh në krye të kësaj federate, për një mandat për rreth 1 vit, pasi do t’i duhet të kompletojë mandatin aktual të Rulit, i cili përfundon pas mbylljes së lojrave olimpike verën e ardhshme, Taulant Stërmasi tregon në një intervistë për Gazetasi.al këtë eksperiencë të re dhe se çfarë po ndodh me mbretëreshën e sporteve në Shqipëri.

Më shumë se dy javë tashmë nga pistat e vrapit dhe terrenet e stërvitjes, në zyrë si president i Federatës së Atletikës, si ka qenë për ty ky fillim i detyrës së re?

"I vrullshëm të them të drejtën, kjo për disa arsye. E para, jemi në mes të sezonit dhe duhet të lëvizim shpejt, kemi të gjitha aktivitetet kombëtare pa mbyllur dhe nga ana tjetër fillojnë edhe aktivitetet ndërkombëtare, nga moshat U18 deri të rritur. Janë kampionatet Ballkanike U18 dhe U20 bashkë me të rriturit, kemi Lojërat Olimpike Europiane që do të zhvillohen në Poloni, ku ekipi shqiptar do të shkojë me ekipin më të madh që ka qenë ndonjëherë, 40 veta në Krakov dhe pas tij, kampionati botëror. Kjo do të thotë që duhet të jemi gati dhe federata duhet të bëjë maksimumin jo vetëm që të punojë shpejt, por edhe t’i japë mundësinë sportistëve në pjesëmarrje, që të arrijnë ku duhet në kulmin e performancës".

Ju vini nga terreni dhe e dini mjaft mirë problematikën e këtij sporti. Dikur kur stërvisnit Luizën thonit se nuk kam asnjë sportist tjetër në garë për konkurencë. Si mund të zgjidhet kjo problematikë?

"Sigurisht që ky është një proces shumë i gjatë dhe nuk mund të them që për 6 muaj do të shtosh masivitetin, sepse kjo nuk mund të ndodhë. Ne duhet të bëjmë politika që në vitin e parë të mandatit, ne të dyfishojmë klubet që merren me atletikë, do të dyfishojmë numrin e trajnerëve që automatikisht përkthehet në më tepër pjesëmarrje, sepse një trajner ka 10 sportistë dhe është logjike edhe dyfishimi i sportistëve. Paralelisht jam duke punuar dhe bashkëpunuar me bashkitë, që ato të shtojnë stafet në këtë sport dhe aty ku nuk ka, të hapin atletikën nëpër qytete. Gjithashtu po punojmë shumë edhe me Komitetitn Olimpik, pasi duam të jemi në vitin 2024 pjesë e projektit “Sporti në Shkolla”, që sot po aplikohet me sportet e basketbollit dhe volejbollit. Jemi duke identifikuar nga ana tjetër edhe të gjithë infrastrukturën sportive që kemi nëpër qytete, pasi do të donim që atletika në vitin 2024 të zhvillohet në të paktën 20 qytete të Shqipërisë".

Sot që flasim, sa infrastrukturë ka atletika në disiplina të ndryshme, për gara të shpejtësisë, të distancave të gjata, kërcime, apo të tjera...?

"Futbolli ka qenë shumë i fortë ndër vite dhe rrjedhimisht ka sjellë probleme për atletikën, sepse stadiumet olimpike janë shndërruar në stadiume futbolli dhe rrjedhimisht nuk kemi të njëjtat numra që kishim përpara 10 vitesh. Megjithatë, kemi 15 qytete ku ka pista atletike, një pjesë e tyre këtyre pista me tartan dhe pjesa tjetër pista dheu. Sigurisht që kjo nuk është maksimumi, por të jep mundësinë që të bësh stërvitje. Pastaj kur flasim për sportistë të nivelit të lartë, ne do t'i tërheqim në qytetet ku infrastruktura është më e mirë, qoftë me shkolla, qoftë edhe me profil sportiv. Gjithashtu do t'i ndihmojmë me bursa dhe me trajnerë të specializuar".

Për të bërë stadiume futbolli ka kosto shumë të larta, ndërkohë për infrastrukturën e atletikës kostot janë disi më të lira. Ka një lloj plani për të rikonstruktuar, apo rigjallëruar infrastrukturën aty ku është?

"Në fakt po të merremi vetëm me pistat e tartanit, kjo pistë ka një kosto që shkon nga 500 në 600 mijë euro, që janë shifra të larta gjithsesi. Megjithatë ne kemi menduar që aty ku do të ndërtohen stadiume të reja, ne të jemi pjesë për të pasur pistën e tartanit. Por nuk do të shtyjmë shumë tek kjo gjë, pasi atletika nuk ka vetëm vrapime, por ka edhe kërcime apo hedhje, pasi edhe nuk kemi shumë kohë të presim 7 apo 8 vite deri sa të bëhet infrastruktura sportive dhe na duhet të ecim paralelisht. Kështu që kemi menduar që aty ku kemi trajnerë të ristrukturojmë infrastrukturën me kënde hedhjesh, kafazet dhe të gjithë bazën materiale dhe shpresoj t'i kemi këto, pasi është mëse e mundshme. Janë duke u kontaktuar trajnerët e parë dhe ish-sportistët e parë që kanë qenë në këto disiplina.  Eshtë diçka pozitive, pasi janë të rinj dhe kanë pasionin për ta bërë këtë gjë, por shpresoj që federata përveç pasionit, t’i suportojë edhe financiarisht, sepse pjesa e pasionit është pjesa e parë dhe e dyta më pas duhet të jemi ne që duhet t'i suportojmë".

Sa njerëz merren me atletikë në Shqipëri?

"Ka disa nivele, kur flitet për nivel elitar si Luiza apo Izmiri është shumë e vështirë, sepse për të arritur tek elita duhet një super masivitet dhe më pas mund të gjenden elementët për të qenë në atë kategori. Në rastin e Luizës do të jetë shumë e vështirë që të gjejmë një konkurente të nivelit të saj dhe që të ketë mundësi të stërvitet me të, por kjo ndodh në të gjitha shtetet e vogla. Edhe Sllovenia që është një shtet shumë mirë financiarisht, konkurentja e Luizës, atje garon vetëm. Ndërsa kur bëhet fjalë për masivitetin numrat janë, aktualisht kemi rreth 600 antarë të liçensuar që bëjnë gara atletike. Në këtë shifër në fakt nuk përfshihen të gjtihë ata që merren me atletikë, që bëjnë vrapime tek liqeni apo që marrin pjesë në maratona apo gjysmë maratona, të cilët shumë shpejtë edhe ata do t'i antarësojmë. Në këtë formë do të kemi mundësi t'u marrim edhe atyre kontributin qoftë në nivel kuotizacionesh, por federata do t'i japë atyre mundësinë që të bëjnë gara, jo vetëm një herë në vit në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera, pasi nga bisedat që kam me kryetarët e bashkive, kemi rënë dakord që çdo qytet i madh gjatë vitit do të ketë një garë rruge".

Atletika ka rreth 26 disiplina, sa nga këto nuk ekzistojnë në Shqipëri?

"Fatkeqësisht disiplina e kërcimit me shkop mungon prej 15 vitesh në Shqipëri dhe po luftojmë fort që të kemi tani trajnerin e parë që do të fillojë me studentët e parë, të cilët kryesisht vijnë nga gjimnastika. Kemi rënie gjithashtu tek disiplina e hedhjeve, por do të mundohemi ta rivitalizojmë në 4 qytete si Vlorë, Tiranë, Durrës dhe Korçë. Ndërkohë në vrapime dhe në garat e shpejtësisë jemi mirë, sepse janë gara që pëlqehen nga të rinjtë. Ndërkohë në garat e distancave nuk jemi gjithashtu mirë, pasi garat që janë më të lodhshme janë më pak të preferueshme. Por brenda mandatit të parë do të dyfishojmë sportistët që marrin pjesë në këto disiplina".

Prej më shumë se 10 vitesh ju identifikoheshit gjithë kohës si trajneri i Luizës dhe ishit gjithmonë bashkë, si e sheh këtë shkëputje dhe çfarë do të ndodhë me atë tani që është pa trajner?

"Deri dje kisha një shqetësim të vetëm që ishte performanca e sportistes time kryesore, që ishte Luiza. Tani kam një hall shumë më të madh që është Izmiri edhe Franko. Pa dyshim që këtu do të jem për të gjithë sportistët, por fokusi më i madh është te sportistët e nivelit të lartë. Pra të them të drejtën më janë shtuar hallet. Pa dyshim që për Luizën është edhe më e vështirë, pasi është mësuar që të më ketë mua aty në stërvitje dhe unë do të mbetem suport i saj dhe për të tjerët. Nuk është shumë e rëndësishme pjesa e zyrës se sa rezultatet që duhet të kem në takimet me sponsorat që janë shumë të rëndësishëm, apo me kryetarët e bashkive, apo partnerët që kemi në mënyrë që ta kemi atletikën më të pasur se çka qenë dhe trajnerët të paguhen më shumë seç janë paguar deri dje, në mënyrë që ta bëjnë këtë punë mirë dhe të paguhen për atë punë që bëjnë. Në të njëjtën kohë po merrem me Izmirin dhe po bëhemi gati që edhe ai të fillojë sezonin e ri që të jetë gati dhe të luftojë fort për Lojërat Olimpike. Kjo është një sfidë e madhe për federatën dhe për mua që vij nga poshtë".

Luiza do të ketë një trajner të huaj? Përpos saj, çfarë ndodh me ish-presidentin dhe trajnerin e Izmirit, Gjergj Ruli a do të jetë ende ai trajneri tij?

"Për Luizën po kontaktoj me dy trajnerë të huaj, trajnerë të cilët kanë pasur të paktën një kampione bote në disiplinën e Luizës, 3000 m/p. Sigurisht ata kanë disa kushte që është normale për Europën, por për ne jo në aspektin financiar, pasi njëri është spanjoll dhe tjetri gjerman. Por tani Luiza është në fund të sezonit dhe nuk është se do të mund të bëjnë ndonjë ndryshim dhe si rrjedhojë diskutimet bëhen për sezonin e ardhshëm në shtator apo tetor. Për Izmirin kemi pikërisht këtë problem, atë të dënimit të Gjergj Rulit, pasi ende nuk kemi një përshkrim të saktë se çfarë i lejohet dhe çfarë jo, por sigurisht në aktivitete ndërkombëtare nuk i lejohet, për këtë arsye po shohim edhe për të një trajner ndërkombëtar. Për të gjithashtu po mendojmë që të jetë një grup ku ai mund të stërvitet dhe që të jenë edhe ata niveli i tij që kërcejnë tek 8 metrat. Luiza dhe Izmiri janë në maksimumin e karrierës dhe ne duhet t'i kemi shumë gati, për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm me trajnerët dhe me trajnimin e tyre. Na duhet të marrim maksimumin e tyre, t’i shtrydhim mirë pasi i kemi bërë copë..."

Në Olimpiadën e kaluar kishim Luizën e kualifikuar dhe Izmirin me ftesë, a mund të ndryshojmë gjë për Olimpiadën që po vjen, pasi mund të jetë e fundit për ta?

"Nuk ua uroj të jetë e fundit, por as nuk dua t'i tërheq zvarrë, kështu që do të vendosin ata vetë nëse do të jetë olimpiada e fundit apo jo. Luiza me 99% e ka siguruar normën për në këtë Olimpiadë, nuk ka kështu diskutimesh. Izmiri vjen nga një dëmtim dhe ky është një problem, por ai është një sportist që e merr formën shumë shpejt. Shpresoj që të zhvillojë gara të mira gjatë dimrit këtë vit, që në garat e para të verës së ardhshme përpara Olimpiadës të sigurojë edhe ai kualifikimin. Kemi gjithashtu edhe Franko Burrajn që ka bërë shumë mirë këto vitet e fundit dhe pse jo të mos jemi me tre sportistë në Paris 2024".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë