Njerez

‘Një lule shprese’ – Histori nga kampet e refugjatëve në Maqedoni

Një shkrim nga Jason Sandford, i cili ka shërbyer si reporter në Kosovë gjatë periudhës së luftës, do të fiksonte më 9 maj 1999 në revistën “Stars and Stripes” detaje për jetën në kampet e refugjatëve shqiptar në Maqedoni, në ato kohë frike dhe tmerri.

Vajza nga Prishtina, i kishte thënë Sandford se emri i saj do të thoshte "lule e jetës".

Duke qëndruar në atë që dukej në atë kohë si epiqendra e mjerimit njerëzor, fjalët e 27-vjeçares Luljeta Hamidi më befasuan. Sytë e saj ngjyrë kafe të zezë u mbërthyen tek të mitë, nuk mund të shpërfillja dridhjen në zërin e saj që fliste apo emocionin e brendshëm që pashë në duart e saj që dridheshin.

Marshi i frikshëm po mbyllej dhe unë kisha shkruar për kushtet e mjerueshme në një kamp refugjatësh në pikën kufitare në Bllacë, Maqedoni, për rreth një javë. Ta quash atë një "kamp" ishte ekzagjerim. Autoritetet maqedonase, krejtësisht të papërgatitur për valën njerëzore që u përplas mbi kufijtë e tyre, mbajtën dhjetëra mijëra refugjatë në fushë të hapur, aty ku dhe kishin zbritur.

Kishte pak dhe aspak mburojë nga era e ftohtë dhe shiu. Një lumë që rrjedh aty përgjatë fushës së hapur shërbente si tualet. Trupat e pajetë të disa foshnjave, të porsalindurve në kampin e baltës dhe papastërtisë, gjithashtu u hodhën në rrjedhën ujore.

Fëmijët shqiptar që po flenë nën diellin e pasdites jashtë çadrës së tyre familjare në Kampin e Refugjatëve Brazda afër Shkupit, 9 prill 1999. (Sally Roberts/Stars and Stripes)

Plehrat e grumbulluara kudo. Era e keqe e pelenave të pista, fashave të përgjakshme dhe zjarreve të kampit e përzier me erën e djersitur të frikës, m’u ngjit tek rrobat dhe më përndiqte gjatë natës në gjumë.

Pra, shenjat e optimizmit, shpresës, madje edhe idealizmit, përballë tragjedisë erdhën si surprizë e mirëpritur. Elasticiteti i shpirtit njerëzor nuk pushon së mahnituri.

E gjeta te refugjatët fëmijë që ndiqnin fluturat në një qytet tendash; në një djalë të ri që më premtoi se do të më telefononte dhe do të më tregonte shtëpinë dhe qytetin e tij kur të mbaronin luftimet; në grua e re që tha se shpresonte që t'i tregonte një gazetari historinë e saj, me qëllimin që ta ndihmonte botën të kuptonte vuajtjet që po duronin njerëzit e saj.

Por kur Luljeta Hamidi ma shqiptoi emrin e saj pas një interviste të shkurtër dhe më tha domethënien e tij, thjesht më duhej të ndaloja për një moment.

Këtu ishte një grua që kishte ikur për të shpëtuar jetën nga grupet paraushtarake serbe që kishin dhunuar dhe masakruar sistematikisht shqiptarët etnikë në qytetin e saj, Prishtinë. Ajo ishte detyruar të largohej pa asgjë, përveç rrobave në shpinë dhe me ato pak sende personale që mund të mbante. Këtu ishte një grua që kishte parë njerëzit e saj të dashur të kërcënuar dhe të rrahur. Dhe në vend të gjente një strehë të sigurt, ajo gjeti vetëm më shumë mundime këtu në këtë "kamp".

Luljetën e kishin zhveshur nga gjithçka që e konsideronte të përzemërt.

Ajo kishte vetëm emrin e saj. Dhe ajo e mbajti fort shpresën që ai mbartte.

Vlera e të qenurit njeri

Kufiri i durimi ndaj vuajtjes rritet, kur alternativa tjetër është vdekja.

Po sikur të dridheshit të shtrirë në tokën e ftohtë dhe të fortë? Po sikur ushqimi juaj të ishte vetëm buka dhe bananet? Po sikur të mos kishit bërë dush prej disa javësh? A do kishin rëndësi dhimbjet që ndjeni në trup ndërkohe që mendjen do e kishit të mbushur me mendime të shqetësuara për anëtarët e humbur të familjes?

A më mirë do donit të ishit të vdekur?

Një djalosh shqiptar duke prerë flokët si pjesë e një stili jetese disi normale në kampin e refugjatëve Brazda në Maqedoni, 8 maj 1999. Brazda ishte kampi më i madh në Maqedoni që mbante më shumë se 30,000 refugjatë. (Jason Carter/Stars and Stripes)

Për qindra mijëra refugjatë kosovarë në Maqedoni – nga ku raportonte Stefan Alford, i cili publikoi këtë shkrim në revistën amerikane “Stars and Stripes” – dhe në Shqipëri, përgjigja është më se e qartë.

Dhe përkundër përpjekjeve më të mira të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shumta që ndihmojnë refugjatët, kushtet e kampeve për të zhvendosurit nga Kosova janë të ashpra.

Mungojnë ambientet sanitare, ato janë të mbipopulluara dhe shiu, balta dhe temperaturat e ftohta të natës e bëjnë jetën të mjerueshme. Por një jetë me mjerim është më mirë se i vdekur, dhe të mbijetosh mëson sitë përballosh.

Vullnetarët zhvendosin arkat me bukë në magazina më të thata në kampin e refugjatëve Brazda në Shkup, Maqedoni, 23 prill 1999. Punëtorët ishin refugjatë nga Kosova që vullnetarisht ia kushtonin kohën e tyre Shërbimit Katolik të Ndihmës. (Ron Alvey/Stars and Stripes)

Të shohësh se si këta njerëz janë përshtatur me situatën e tyre është frymëzuese. E gjithë bota është marrë prej tyre - gjithçka që ata dinin dhe gjithçka që kishin është zhdukur. Megjithatë, ka ende optimizëm dhe shpresë dhe, ndoshta më e qarta, humor.

Të jesh në gjendje të ndash një buzëqeshje dhe të qeshura me ata në kampe të bën të ndihesh se gjithçka do të bëhet mire për ta.

Një vajzë e re shqiptare që po tregon një shaka që ia mësoi nga një pjestarët e stafit të OKB-së ose një i moshuar duke qeshur me ironinë se si u deshën ushtarëve serbë tre përpjekje përpara se të arrinin t'i vinin zjarrin makinës së tij, nënvizojnë vendosmërinë përballë tragjedisë.

Një vendosmëri për të mos u hequr atyre pasurinë e fundit dhe më të rëndësishme që ata kanë -vlera e qenies njerëzore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë