Njerez

Europë, rreth 47 fëmijë emigrantë zhduken në ditë që nga viti 2021

Rreth 47 fëmijë zhduken çdo ditë në Europë, sipas një studimi të ri që tregon se më shumë se 50,000 fëmijë emigrantë u zhdukën gjatë tre viteve të fundit.

Të dhënat e kërkuara nga 31 vende europiane, përfshirë Austrinë, Gjermaninë dhe Italinë, tregojnë se të paktën 51,433 emigrantë të mitur të pashoqëruar u regjistruan si të zhdukur midis 2021 dhe fundit të 2023. Shifra aktuale mund të jetë më e lartë për shkak të dokumentacionit joadekuat të rasteve, me disa vende duke mos mbledhur fare të dhëna për fëmijë të tillë.

Hulumtimi bazohet në gjetjet e publikuara në 2021 që zbuluan se të paktën 18,000 fëmijë emigrantë u zhdukën pas mbërritjes në Europë në tre vitet nga janari 2018 deri në dhjetor 2020.

Aagje Ieven, sekretarja e përgjithshme për Missing Children Europe, një federatë që bashkon organizatat bazë në të gjithë kontinentin, tha se numri në rritje i rasteve të raportuara të zbuluara nga hulumtimi shërben si një kujtesë e shumë rasteve që ende nuk janë zbuluar.

“Fakti se po dalin shifra është një hap pozitiv”, tha ajo, duke shtuar se rastet e pa raportuara janë maja e ajsbergut.

Nga 31 vende të kontaktuara, ‘Lost in Europe’ mori 20 përgjigje, me 7 vende që kishin mungesë të të dhënave të kërkuara.

“Lost in Europë” ishte në gjendje të gjente të dhënat e nevojshme për dy nga vendet që nuk upërgjigjen, Italia dhe Sllovakia.

Italia dhe Austria kryesojnë në regjistrimet e të miturve të pashoqëruar të zhdukur, me përkatësisht 22,899 dhe 20,077 raste, të ndjekura nga Belgjika, Gjermania dhe Zvicra me rreth 2,200 dhe 1,200 raste të raportuara.

Sidoqoftë, numrat më të lartë në Itali dhe Austri nuk tregojnë domosdoshmërisht më shumë raste, por se ekzistojnë sisteme më efikase të mbledhjes së të dhënave, tha Ieven.

Fati i fëmijëve emigrantë të pashoqëruar është shqetësues, tha Ieven.

“Ata janë në një rrezik më të lartë për t'u shënjestruar nga trafikantët, nëse nuk janë shfrytëzuar tashmë nga kontrabandistët për të shlyer borxhet”.

Faktorë të shumtë kontribuojnë në zhdukjen e fëmijëve emigrantë. Ka shqetësime se disa mund të kenë rënë pre e trafikantëve të qenieve njerëzore ose të jenë shfrytëzuar për arsye të tjera.

Të tjerë zhduken vullnetarisht sepse nuk u besojnë autoriteteve ose për t'u shpëtuar kushteve të pasigurta të pritjes.

Shumë lëvizin në vende të tjera për t'u ribashkuar me të afërmit ose miqtë pa u regjistruar.

Ieven vuri në dukje se pamjaftueshmëria e mundësive për të miturit i bën ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, krahas traumave të shumta që ata durojnë para se të arrijnë në Europë. Një studim i vitit 2022 i Universitetit të Gentit zbuloi se 84% e fëmijëve përjetuan dhunë fizike gjatë emigrimit të tyre në Europë, me mbi 90% dëshmitarë të saj.

Fëmijët përbëjnë rreth 40% të njerëzve të zhvendosur në botë, sipas Kombeve të Bashkuara. Ndërsa ikin nga luftërat dhe konfliktet, mijëra fëmijë e gjejnë veten të ndarë nga familjet dhe të afërmit e tyre dhe të tjerët udhëtojnë vetëm, të dërguar përpara nga prindërit që kërkojnë të sigurojnë mbijetesën e tyre.

Afganistani ishte vendi i origjinës për të paktën një në tre të mitur të pashoqëruar që u zhdukën në Europë midis 2021 dhe 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë