Njerez

Dhuna digjitale më bazë gjinore / Balla: Do rregullohet me ligj, Prokurori Çela: Nuk mjafton

Nga Gazeta Si- Në një konferencë me temë “Dhuna digjitale me bazë gjinore”, Ministri i Brendshëm Taulant Balla është shprehur se ngacmimi kibernetik do të rregullohet edhe me ligj.

“Do rregullojmë aspektin ligjor që personat që përdorin platformat ligjore të mos kërcënojnë të tjerë”, tha Balla, duke shtuar se janë të gjitha mekanizmat për të ndërhyrë sapo të rregullohet ligji.

Shifrat e dy muajve të parë të 2024, tregojnë se kemi pasur 890 persona të dëmtuar nga dhuna dhe krime të tjera në familje, ndër to 629 janë gra dhe vajza.

Një e dhënë tjetër është e lëshimit të urdhër mbrojtjes. Nga 405 të dëmtuar që kanë marrë urdhër mbrojtje, 350 janë vajzat.

Gjatë 2023 janë regjistruar 125 viktima të dhunës seksuale, 103 janë vetëm gra dhe vajza.

I pranishëm në diskutim ka qenë edhe Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela i cili foli për sfidat e ndryshimeve ligjore.

“Një ndërhyrje e vetme legjislative është e pamjaftueshme për ti dhënë zgjidhje dhunës digjitale”, tha prokurori, duke shtuar se qasja ndaj këtij fenomeni duhet të jetë shumëdimensionale.

 Çela listoi sfidat me të cilat duhet të përballen para se të bëhen ndryshimet ligjore, ndërsa kërkoi që procesi të jetë një proces i kujdesshëm, serioz dhe nuk duhet marrë me urgjencë.

Ndër të tjera kryeprokurori tha se duhet të inspirojnë besim te shoqëria ndaj institucioneve për zbatimin e ligjit.

“Kemi problem me dhunën si shoqëri, shifrat e tregojnë. Ne përpiqemi ta godasim, por shikojmë se fenomenet janë persistente dhe nuk kemi ndryshim cilësor sesi shoqëria sillet në raport me dhunën digjitale. Kemi shifra konstante në tre vitet e fundit, ashtu si dhe të përndjekjes. Kemi ndjekur një politikë mjaft të ashpër si në aspektin e masave të sigurisë si në dënime”, tha Cela, duke shtuar se shifrat e tregojnë se numri më i madh i viktimave janë gratë dhe vajzat.

Ai tha se e vlerëson iniciativën që vjen në vendin tonë, por duhet të marrë në konsideratë të gjithë kuadrin ligjor.

“Procesi ligjbërës duhet të japë një zgjidhje shteruese afatshkurtre ose afatmesme, sepse afatgjatë është e vështirë. Është e vështirë të bësh një ligj për këtë, imagjino sa e vështirë është të bësh një Kod Penal që t’i rezistojë evolucioneve që po pëson shoqëria në nivel global, e aq më tepër t’u përgjigjet standardeve të BE”, tha Çela.

Aspekti i dytë që përmend Çela është se sa jemi gati t’i përgjigjemi sfidës.

“Si po e përballojmë këtë çështjen e dhunës digjitale, institucionet? Nuk kemi një statistike sesa % e dhunës në familje, përndjekjes, ngacmimet seksuale, kanë komponentin kibernetik brenda. Kemi nevojë për ndërtimin e sistemeve që prodhojnë statistika të besueshme dhe mbështesin politikat ligjbërëse. Nuk e dimë as sa efektive do jenë urdhrat e mbrojtjes për dhunën digjitale”, tha Çela.

Ai shpjegoi se ka nevojë për ndërtimin e njësive të specializuara që trajtojnë çështjet e dhunës digjitale.

“Sot është e pamundur të ngrihen seksione. Ndryshimet ligjore duhet t’u përgjigjen ndryshimeve strukturore të cilat janë të pamundura të realizohen në periudha afatshkurtër”, tha Çela, i cili mbylli fjalën e tij duke thënë se janë disa sfida dhe “do të doja që ta marrim çështjen me seriozitet dhe ti japim vetes kohën e duhur me ndryshimet në kodin penal që të mos bëjmë gabime”.

Irena Plaku, anëtare e këshillit të lartë gjyqësor tha se janë 3334 vendime të dhëna në 2023 të dhunës në familje por nuk ka ndarje të llojeve të dhunës.

“Janë shtuar rastet e dhunës psikologjike që është më e vështirë për tu hetuar. Është shtuar edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe kjo ka bërë që policia të raportojë për urdhër mbrojtje, ku janë mbi 500 raportime nga policia”, tha Plaku, duke arsyetuar se dënimi nuk mund të jetë e vetmja zgjidhje dhe që një vend të rëndësishëm ka edhe ajo që vjen pas dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë