Vende dhe Udhetime

Shëngjergji, mrekullia “malore” e Tiranës

Nëse dëshironi të kaloni një fundjavë ndryshe dhe të bukur, diçka të tillë mund ta bëni duke udhëtuar në Shëngjergj të Tiranës.
Shëngjergji, Shënmria dhe Shëngjini janë këndet e një trekëndëshi, që nga emrat e tyre prej shenjtorësh të krishtërimit tregojnë për lidhjen e hershme me krishtërimin, ndërkohë që sot shohim një realitet të ri religjioz nëse kemi parasysh minaretë e ngritura në qendër të tyre.
Shëngjergji ndodhet në lindje të Tiranës rreth 40 km larg. Ai ka një reliev malor ku kuota më e ulët është shtrati i lumit Erzen dhe kuota më e lartë është Mali me Gropa.

“Dikur fshati ka pasur rreth 300 shtëpi ndarë në disa lagje jo të vogla si Kasalla Vërria (Padhyl) Ura (mbiemër i vjetër i fisit Uraj), por që sot Vërria dhe Ura janë fshatra më vete. Ajo lartësi shkëmbore, 1011 m lartësi në mes të lagjeve ka qenë quajtur sheshi i kuvendit apo "guri i burrave" ku diskutoheshin e vendoseshin problemet e fshatit”,- shprehet Skënder Farka, autor i disa botimeve mbi Fshatrat Turistikë të Tiranës.
Sot, fshati Shëngjergj, është më i madhi i komunës, por jo qendër e saj.
Nga Vërria rruga e mirë e shtruar me çakull, gjithnjë në ngritje uniforme, gjarpëron sipas terrenit, nëpër bahçe rne pemë frutore e pranë tyre duken disa varre, kurse nga perëndimi pamja është shumë piktoreske, sidomos pamja nga kullat e riparuara të fisit Duka, oborret e të cilave, janë ballkone të vërteta për çlodhje e kënaqësi.

“Në këtë lagje ndërtimet janë 60-80 vjeçare dhe të riparuara dhe nuk sheh ndonjë që të quhet kullë në kuptimin e madhështisë e të vjetërsisë. Më lart fshatit janë riparohuar e ndërtuar disa shtëpi. Pas një ngjitjeje e disa kthesave të tjera është shkolla e Shëngjergjit dhe pas saj është ndërtesa e dikurshme e policisë, dyqaneve e zyrave, një ngrehinë e gurtë dy katëshe e përshtatshme për hotel alpin.
Në katin e parë është klubi dhe në vazhdim është xhamia, po ajo xhami e dikurshme, tashmë e riparuar, me një minare të shëmtuar, ironi për të mos kujtuar minaren elegante të dikurshme që u shemb më 1968.”,- komenton Farka për gazetën “Si”.
Sipas tij, minareja e parë konkurronte atë të Tiranës, sepse e kishin ndërtuar të njëjtët mjeshtra, kurse salla e madhe e shërbyer për shtëpi kulture, më 1992 ishte riparuar, por megjithatë nuk funksiononte dhe kishte nisur të rrënohej.

Buzhiqi, pronë e motrës së Skënderbeut?
Në lartësi, në majë të një shkëmbi, poshtë këmbëve si në gropë, është lagja Buzhiq, më e vjetra e më e madhja, ku shtëpitë janë më të ngjeshura me njëra-tjetrën. Thonë se ajo hapësirë ka qenë pronë e Angjelinës, motrës së Skënderbeut, kurse diçka më tutje, kanë qenë pronat e Moisi Golemit.
Emri i lagjes, thonë se vjen nga emri i një takse te vjetër dhe ka lidhje me derrat.

“Kur ndodhesh mbi Skrep, nga lindja lart, në pjerrësinë e kodrës, janë banesat e fiseve Ballaj e Burraj, Domi, Xara, Deda, Subashi etj. Ai rrip toke tepër i sheshtë mbi "shkëmbin që quhet skrep" po ta shikosh nga lart ka formën e yllit që bie nga qielli. Prej aty pamja është madhështore.”, vëren Skëndër Farka, ndërsa nënvizon se ai shkëmb është monument natyre, por edhe monument historik me vlerë si aset turistik.

“Aty ka qenë kisha e vjetër e Shëngjergjit, ndërsa në vitet 1945-46 u ngrit shkolla e parë me dy klasa, e rrënuar më 1992.
Që andej nga lart, shikohen gjithë fshatrat përreth, gryka e Priskës dhe majat e maleve, kreshtat e malit me Gropa dhe majat e maleve, që mbyllin horizontin.”

Në degëzimin që të çon poshtë në lagjen Buzhiq, pas 15 minutash mund të arrish në 3-4 banesa të gurta të ndara me baçe të gjelbëruara. Banesa e parë ku gjendet një pllakë përkujtimore, në kohën e luftës ka shërbyer si spital.

Pasi kalon mullirin e vjetër të lagjes, del në një hapësirë të madhe ku duket një pjesë e rrugës së Bizës dhe një lapidar përkujtimor. Aty mund të vazhdosh rrugën drejt burimit të ujit që zbret nga mali, njëri prej 11 vendburimeve të Erzenit. Duke u ngjitur lart në drejtim të kundërt të rrjedhës të ujit që kërcen gurëve me një zhurmë të lehtë, gjelbërimi e pengon pamjen por jo shushurimën e rrjedhës.
Duke i shkuar deri në fund rrjedhës ndodhesh pranë një grumbulli gurësh me myshk midis bimësisë së dendur.
Nëse vazhdon ngjitjen arrin pranë një lëndine të bukur, që quhet edhe “qyteza e trimave” dhe duke zbritur shkon drejt kullës së vjetër të lartë e të bukur të fshatit por që po rrënohet, në atë të fisit të Koçajve. Kulla e gurtë tashmë është e braktisur.
Në oborr lartohet një pemë are e madhe pranë të cilit gjendet një burim. Nëse ecën lart drejt liqenit ose ujëmbledhësit të Lepurit rruga nëpër mal është tepër e lodhshme.
Terreni i thyer malor, disa herë jo aq i sigurt ofron një pamje të mrekullueshme, ndërsa mund të ndjesh aromën e thellë të luleve të ndryshme, të çajit dhe të mjaltit.
Rruga nëpër mal, nëpër një pyll pishash është e lodhshme.

“Nga ana lindore, midis shkëmbinjve mund të kundrosh qendrën e banimit të shekujve më parë, atë të Trimajve. Atje ishin parë mbetjet e në banimi shumë të hershëm njerëzor.”, shkruan Skëndër Farka, në librin e tij, ndërsa flet për Shëngjergjin.

Pas disa minutash ngjitjeje të vështirë gjendesh në krye të kodrës, në këmbët e së cilës gjendet një pasqyrë e mrekullueshme ujore. Një liqen në buzë të një kodre me pisha dhe përreth malesh mund të shijosh një bukuri të mrekullueshme natyrore, pranë rrugës së vjetër të Bizës.
Ata që e vizitojnë këtë vend duan të kthehen sërish dhe e vlerësojnë si vend ideal për kampim për pushime fundjave ose javore, në lartësinë 900-1000 m.

Ujëvara e Shëngjergjit

Ujëvara e Shëngjergjit është një pasuri natyrore e Tiranës, që nuk mund të lihet pa vizituar. Ajo ndodhet pranë fshatit Shëngjin të komunës Shëngjergj. Deri pranë saj, mund të shkohet me makinë dhe rruga është shumë e mirë. Kjo ujëvarë deri para gjashtë vitesh rrinte “e fshehur” mes maleve dhe përveç banorëve të zonës, askush nuk e dinte ekzistencën e saj. Sot ajo është kthyer në një destinacion të mirëfilltë turistik me shenja orientuese.


Ujëvara furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe formon një nga degët e krijimit të Lumit Erzen. Ajo ka një lartësi rreth 30 metra të dukshme dhe gjarpëron përmes hinkave në formë spirale në lartësi më të madhe dhe më pak të dukshme për syrin e vizitorit. Formacioni shkëmbor rreth saj është me shkëmbinj shtresëzorë dhe me ngjyra, ku e kuqja është mbizotëruese. Ne pranverë dhe në vjeshtë ajo ka një bukuri mahnitëse, nga llojshmëria e ngjyrave.

Mali me Gropa
Mali me Gropa i takon edhe rretheve kufitare. Është masiv shkëmbor gjigant, me ndërtim gjeologjik që nga koha e akullnajave. Mali ka këtë emër se në sipërfaqe vihen re qindra gropa karstike në formë hinke të përmasave të ndryshme pranë njëra-tjetrës, në formë tarracash të çregullta me një pamje mahnitëse.
Nëse e sheh nga lartësitë e Mcekut, 1827 m lartësi, bindesh se përpara teje ke një mrekulli tokësore. Dikur me pyje të vogla e gjelbërim, sot është pa to, pa ujë, pa pemë, vetëm gurë gëlqerorë dhe jo shumë kullotë.
Brendësia e masivit malor përfaqëson një masë gjigante gëlqerore, me sa duket si sfungjer, me ndërtim fantastik, ku nuk dihet se sa mijëra gropa, puse, shpella të mëdha e të vogla ka. Ato komunikojnë me njëra-tjetrën nga brenda, ku rrallë vihen re shembje gurësh ose masash shkëmbore, që kuptohen nga uji i turbullt që del nga gurrat e që vazhdon për 6-16 orë deri sa uji të kthjellohet.


“Gjatë periudhës së dimrit, gropa karstike mbushen me ujin e borës që shkrin avash -avash dhe e përcjellin atë ngadalë në brendësi uniformisht. Sistemi natyror i grumbullimit të ujit, i ruajtjes së tij në brendësi, i ritmit në drejtpeshim të shkarkimit gjatë gjithë vitit, si ligjësi natyrore është dukuri e rrallë e një mrekullie hyjnore.”, - komentohet në Fshatrat turistikë të Tiranës.

Tri shkarkimet ose gurrat kryesore të ujit: gurrat e Selitës, ato të Shënmërisë dhe të Gurit të Bardhë janë furnizueset me ujë të pijshëm për popullsinë e Tiranës e të Burrelit, pa përmendur qindra burime të vogla, që shfrytëzohen nga popullsia përreth.
Pa këtë dhuratë natyre, Shqipëria e Mesme nuk do të kishte lumin e Tiranës, atë të Erzenit dhe lumin e Matit.
Me makinë nga Vërria, nëpër rrugën e shtruar me çakull, arrin në klubin e Kroit të Kuq dhe pas rreth 7 km, drejt perëndimit, mbi një faqe shkëmbi pingul jo të vogël, një ushtar italian kishte gdhendur dikur bustin e një ushtaraku të lartë, të cilin në 1968 e prishën. Pak më tutje, në zonën e bukur të Linosit plot pyje, livadhe e burime uji del nga rruga dhe drejtohesh nga shpella e Kacerrit. Pranë një guri rrëzë drurëve të pyllit duket një gropë: ajo është një shpellëm ku po të hapet pak hyrja mund të futet brenda një fëmijë i vogël.

Ndonëse mëse 10 km larg mundet që uji i shpellës së Valit, duke zbritur teposhtë me zhurmë e shpejtësi e shtyn ajrin drejt daljeve të mundshme.

Krahina e Tomadhesë

Zona ka pamje të mrekullueshme me terrenet kodrinore dhe malore. Ajo është e pasur me burime të shumta ujore dhe liqene. Mendohet se në shekujt XII-XIV quhej Tomadhe ose Tame Dea- Perëndeshë e Burimeve Ujore.
Shëngjergji më parë ka mbajtur emrin “Krahina e Tomadhesë”. Eqerem Çabej e përmend si fjalë “zë e kahershme” shqipe, kurse prof. Dhimitër Shuteriqi e përmend si vendbanim që do të thotë “Dheu i Tomës”. Konkretisht, ai e lidh këtë emër me një stërgjysh të Vladan Aranitit që quhej Toma, por mund të jetë edhe toka e Deas ose Tama. “Faqja e dheut të saj ka një bukuri mahnitëse të tre shenjtëve: Shëngjergj, Shënmri e Shëngjin, tre fshatrat e kësaj krahine”. Kurse Dhimitër Pilika dhe historia italian Biemi, thotë se me fjalën Tamadhe duhet të kuptojmë “Të mëdhenjtë” dhe emri i vërtetë duhet të jetë “Krahina e të mëdhenjve”. Ai e ka fjalën për Aranitët.
Autorë të tjera japin mendimin si vendbanime të lashta ilire në shek III-IV (prof. Kristo Frashëri).
Pas vitit 1600 mori emrin Shëngjergj.
Vlen të përmendet edhe se nëse banorët e Shëngjergji mbahen si më të zgjuarit në zonën e Tiranës. Vetë shëngjergjasit deklarojnë se ky konstatim është i lidhur me shkollën e parë shqipe në Qarkun e Tiranës, e cila është hapur pikërisht në Shëngjergj të Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë