Vende dhe Udhetime

Turizmi masiv, fshati zviceran do të vendosë taksë për vizitorët

Një fshat në Alpet zvicerane do të ndjekë shembullin e Venecias, ku do të vendosë tarifë për hyrjen e turistëve. Ky vendim erdhi pas mbingarkimit me turistë gjatë viteve të fundit.

Autoriteti lokal në Lauterbrunnen, një luginë në rajonin malor Bernese Oberland të Zvicrës, ka ngritur një grup pune për të gjetur mënyra të reja për të frenuar mbiturizmin.

Komuniteti i vogël dhe piktoresk i Lauterbrunnen po përballet me rrugët e mbipopulluara, mbeturinat e shumta dhe çmimet e larta.

Tarifa e propozuar, e cila do të paguhet përmes një aplikacioni smartphone, do të jetë midis 5 dhe 10 franga zvicerane dhe do të zbatohet për vizitorët që kalojnë gjatë ditës me makinë.

"Përjashtim do të ishin mysafirët që kanë rezervuar një ofertë të tillë si një hotel ose një ekskursion ose që mbërrijnë me transport publik," tha kryebashkiaku i Lauterbrunnen, Karl Napflin.

Lugina e Lauterbrunnen është shtëpia e atraksioneve të shumta, duke përfshirë Staubbach Falls, një nga ujëvarat më të larta të pandërprera të Evropës në 270 metra.

Vitin e kaluar, industria zvicerane e hotelerisë shënoi nivelin e saj më të lartë ndonjëherë të qëndrimeve gjatë natës gjatë një sezoni veror me 23.9 milionë turistë.

Janë më shumë se 60 destinacione në mbarë botën ku është vendosur kjo lloj takse si mënyrë për të shmangur mbipopullimin me turistë.

Dita e parë e tarifës së hyrjes në Venecia më 25 prill u prit me protesta. Qyteti i famshëm do të vazhdojë tarifimin deri më 14 korrik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë