Ngjarje

Pronat e bazat e ushtrisë ‘han pa porta’? Shkeljet më skandaloze të sigurisë

Dy rusët dhe një ukrainas të arrestuar nën dyshimet e spiunazhit pas ngjarjes së regjistruar pasditen e së shtunës në Uzinën e Armëve të Gramshit nxorrën më në pah problematikën e hershme të bazave ushtarake shqiptare; sigurinë.

Rastet kur siguria e këtyre bazave është shkelur në mënyrë flagrante janë të shumta që pas 1997-s dhe në disa prej këtyre rasteve ka pasur edhe viktima.

Bazat e ushtrisë janë përdorur për foto nga turistë të huaj e vendas. Vetë historiku i fotove të publikuara nga rusja e dyshuar si spiune, Svetlana Timofeeva tregon që ajo ka hyrë në bazët ushtarake shqiptare të paktën që prej vitit 2018-të, madje në dy raste në Gjadër e Porto Palermo ka hyrë në mes të pandemisë, ironikisht kur ushtria shqiptare patrullonte në rrugët e Tiranës për të siguruar respektimin e masave anti-Covid.

LEXO EDHE:
- Dosja - Si u vodh baza ushtarake e Pashalimanit
- Dosja Gërdeci/ Kushtetuesja rrëzon Mediun

Hetimet do të zbardhin nëse rusja dhe dy bashkëpunëtorët e saj janë spiunë, apo thjesht aventurierë e blogerë. Por, shkeljet e sigurisë në bazat ushtarake ndër vite kanë qenë shumë herë më flagrante se kaq.

Më i rëndi është ai në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Më 15 mars të 2008-s, ditë e shtunë, pak pas mesditës një shpërthim i fuqishëm në shkaktoi 26 të vdekur e qindra të plagosur. Hetimet e mëvonshme, ndonëse të akuzuara si hetime të paplota, nxorrën në pah një sërë shkeljesh.

Hetimet zbuluan se në fabrikë punonin persona të patrajnuar në demontimin e armëve, madje edhe fëmijë dhe mveshën me përgjegjësi pjesën më të madhe të zinxhirin komandues të Forcave të Armatosura, e deri te ministri i Mbrojtjes. Për këto përgjegjësi SPAK ka rihapur dosjen ndaj Fatmir Mediut, ministër i Mbrojtje në atë kohë.

Rasti tjetër është grabitja e armëve në bazën e Pashalimanit, ngjarje që shpërtheu në janar të 2019-s. Gazeta Si solli në atë kohë ekskluzivisht dosjen e hetimore të Policisë Ushtarake, në të cilën nënkuptohej se grabitja mund të ishte realizuar nga një njeri i brendshëm i bazës.

Përmasat e grabitjes? Dy automatikë kallashnikovë model 56, të cilët janë me bajonetë shtizë; 700 fishekë për pistoletë të tipit TT; 3.691 fishekë blindshpues për armë automatike; granata luftarake 40 copë; ndezësa për granata dore 40 copë; krehër hark automatiku 1 copë; pushkë m4 karabinë luftarake 1 copë; fishek luftarakë model 5.56 mm 1 mijë copë si dhe krehëra rezervë pet 30 fishekë luftarakë 3 copë.
Aktualisht, Ushtria ka në invetarin e saj rreth 1 mijë prona të shtrira në të gjithë vendin. Më të cenuara nga këto prona e baza janë ato që janë të vendosura në bregdet dhe në këtë rast jo thjesht për t’i grabitur armët e hekurin për skrap, por edhe për t’i përvetësuar duke përdorur shpesh ligjin.

Në Shëngjin, një investigim i Ina Media, sjell si shembull një godinë disakatëshe e ndërtuar në brendësi të bazës ushtarake vijon të qëndrojë në këmbë dhe kompania që e ka ndërtuar pretendon se ka dokumentacion të rregullt për të. Historia e saj është e gjatë, por shkurtimisht mund të përshkruhet kështu: Një ish-pronar kompensohet nga Qeveria me tokë brenda bazës së ushtarake të Shëngjinit dhe më pas ja shet atë një kompanie ndërtimi, e cila ngre godinën.

Një tjetër ligj që ka cenuar sigurinë dhe vetë ekzistencën e këtyre bazave është ai për investimet strategjike. Me këtë ligj privatit i është dhënë nga Qeveria baza detare e Limionit në Sarandë me një sipërfaqe prej mijëra metrash katrorë. Vendimi është kundërshtuar nga ish-drejtues të Forcës Detare dhe për këtë ka një çështje në SPAK. Raste të ngjashme ka edhe në bazën e Kepit të Palit, Gjirit të Palermos dhe ajo e Shëngjinit.

Ligji tjetër që nga opozita akuzohet se ka dëmtuar nivelin e sigurisë së bazave ushtarake shqiptare janë ndryshimet e miratuara në korrik nga ana e Kuvendit, ku Policisë Ushtarake i hiqej kompetenca e mbrojtjes së këtyre bazave.

Sipas kësaj ndërhyrjeje, Policia Ushtarake nuk do të ketë kompetencë mbrojtjen e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, por do të jetë mbështetëse në mbrojtjen e kësaj prone.

Ndryshimi lë hapësirë për interpretim se kujt institucioni do t’i kalojë kompetenca për mbrojtjen e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, një pjesë e të cilave janë të vendosura në zona të lakmuara nga sipërmarrësit në bregdet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë