Politike

Propozimi i Qeverisë: Ushtrisë t’i hiqet kompetenca e mbrojtjes së pronave të veta

Qeveria propozon që t’i heqë Policisë Ushtarake kompetencat që ka me ligjin aktual për mbrojtjen e pronave që janë në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Propozimi është bërë përmes një projektligji të miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure nga ana e Qeverisë, ku kërkohet që të ndërhyhet në nenin 2 të ligji për Policinë Ushtarake.

LEXO EDHE:
PD akuzon se janë grabitur 133 ha prona të ushtrisë në bregdet, Peleshi: Unë s'kam firmosur

Sipas kësaj ndërhyrjeje, Policia Ushtarake nuk do të ketë kompetencën mbrojtjen e pronës shtetërore në administrim dhe përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, por do të jetë mbështetëse në mbrojtjen e kësaj prone.

Ndryshimi lë hapësirë për interpretim se kujt institucioni do t’i kalojë kompetenca për mbrojtjen e pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, një pjesë e të cilave janë të vendosura në zona të lakmuara nga sipërmarrësit në bregdet.

Rasti më tipik është në bazën detare të Shëngjinin, ku brenda pronës së ushtrisë është ndërtuar një godinë civile. Në 2019-n, në këtë bazë ndërhyri policia ushtarake duke ndaluar ndërtimin e privatit, ndërsa çështja, sipas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi në Kuvend është në proces gjyqësor.

Ka pasur akuza për përpjekje për të tjetërsuar pronat e ushtrisë në katër baza detare të Pashalimanit, Kepit të Palit, Palermos dhe të Shëngjinit. Janë rreth 133 hektarë të këtyre pronave që janë lënë jashtë planit të përhapjes së Forcave të Armatosura, megjithëse vijojnë të mbeten prona të ushtrisë.

Por, plani i përhapjes megjithëse është miratuar prej vitesh nuk është firmosur nga Presidenti që të marrë fuqinë e plotë juridike. Plani i fundit i përhapjes së Forcave të Armatosura është firmosur në 2014-n, në atë kohë nga Presidenti Bujar Nishani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë