Ngjarje

Ekskluzive – Thellohet skandali në Pashaliman. Arsenal armësh të vjedhura

Thellohet skandali i vjedhjes së armatimit në bazën ushtarake të Pashalimanit në Vlorë. Gazeta “Si” ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për armatim të rëndë dhe të një sasie të madhe armësh luftarake.

Më konkretisht, gazeta mëson se janë vjedhur dy automatikë kallashnikovë model 56, të cilët janë me bajonetë shtizë; 700 fishekë për pistoletë të tipit TT; 3.691 fishekë blindshpues për armë automatike; granata luftarake 40 copë; ndezësa për granata dore 40 copë; krehër hark automatiku 1 copë; pushkë m4 karabinë luftarake 1 copë; fishek luftarakë model 5.56 mm 1 mijë copë si dhe krehëra rezervë pet 30 fishekë luftarakë 3 copë.

Një arsenal i vërtetë armësh, që nga ato të lehta deri tek më të rëndat, të cilat nuk dihen deri tani se në duart e kujt ndodhen edhe pse hetimet kanë nisur menjëherë nga autoritetet policore dhe ushtarake.

Në të vërtetë, vjedhja dyshohet të jetë bërë të enjten në mbrëmje dhe drejtuesit ushtarakë të bazës e kanë zbuluar të premten.

Ndërkohë, katër nga pesë personat e vënë në akuzë për skandalin e vjedhjes së armëve janë arrestuar mbi bazë të ligjit Ushtarak, ndërsa i pesti, që sipas burimeve është komandanti i bazës, po hetohet në gjendje të lirë.

Hetimet janë hapur për shkelje të shërbimit të rregullave të rojës në depot e armatimit me pasoja të rënda vjedhje armatimi, falsifikim të dokumenteve të punonjësve. Nën hetim janë edhe tre ushtarë në shërbim roje.

Brenda 48 orëve nga momenti i arrestimit të ndaluarit do të dalin para gjykatës për t’u njohur zyrtarisht me akuzën e ngritur.

Dyshimet e hetuesve janë se autorët e vjedhjes mund të jenë ndihmuar nga personeli i brendshëm i bazës ushtarake, i cili mund t’i ketë informuar ata mbi vendodhjen e armëve. Depoja nuk monitorohej nga kamera të sigurisë, ç’ka ia ka lehtësuar punën grabitësve.

Dyshimet për bashkëpunëtorë të brendshëm përforcohen për faktin se roja i objektit ku u vodhën armët ka braktisur vendin e shërbimit pak para ngjarjes.

Menjëherë pas vjedhjes në bazën e Pashalimanit, Shtabi i Forcave të Armatosura ka dënuar aktin dhe ka njoftuar se janë proceduar 5 persona për vjedhje dhe shkelje të rrregullave të shërbimit. Shtabi sqaron se ka nisur një hetim administrative nga SHPFA dhe se do të vihet para përgjegjësisë çdo individ, edhe nëse është pjesë e Forcave të Armatosura.

 

Më Shumë